Suedia zgjedh kryeministren e parë grua

Suedia ka emëruar Magdalena Andersson si kryeministren e parë grua, sipas llogarisë zyrtare të vendit në Twitter.
Andersson, 54 vjeç, zëvendëson Stefan Löfven, i cili kohët e fundit dha dorëheqjen si kryeministër i vendit dhe si udhëheqës i partisë Social Demokrate.
Të gjitha vendet e tjera nordike – Finlanda, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda – kanë zgjedhur më parë lidere gra, shkruan CNN, transmeton Shqip.com.
Si kryeministre, Andersson është paraprirë nga 33 burra. Ajo ka punuar më parë si Zëvendës Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Suedeze të Taksave, sipas CV-së së saj në faqen e internetit të qeverisë suedeze.
Ajo ka një diplomë master në Ekonomi nga Shkolla e Ekonomisë e Stokholmit dhe ka shërbyer si ministre e financave të Suedisë që nga viti 2014.
Ajo është gjithashtu gruaja e dytë që kryeson partinë Social Demokrate të qendrës së majtë, sipas llogarisë suedeze në Twitter./SHQIP.com