Art Jetese

Studimet tregojnë se nga cili prind varet gjinia e bebes

Ilustrim,

Një studim i Universitetit Newcastle në të cilin janë të përfshira mijëra familje, po i ndihmon prindërit e ardhshëm të kuptojnë nëse ka të ngjarë të kenë djem apo vajza.

Puna e Corry Gellatly, një shkencëtari hulumtues në universitet, ka treguar se burrat e trashëgojnë tendencën për të pasur më shumë djem ose më shumë vajza – nga prindërit e tyre. Kjo do të thotë që një burrë me shumë vëllezër ka më shumë gjasa të ketë djem, ndërsa një burrë me shumë motra ka më shumë të ngjarë të ketë vajza.

Hulumtimi përfshinte një studim të 927 trungjeve familjare që përmbanin informacion për 556,387 njerëz nga Amerika e Veriut dhe Evropa, duke u kthyer qysh në vitet e 1600-ta, raporton Science Daily.

“Studimi i trungut familjar tregoi se nëse ka të ngjarë të keni djalë apo vajzë është e trashëguar. Ne tani e dimë se burrat kanë më shumë gjasa të kenë djem nëse kanë më shumë vëllezër, por ka më shumë gjasa të kenë vajza nëse kanë më shumë motra. Megjithatë, tek gratë, kjo nuk mund të parashikohet.” – shpjegon Gellatly.

Burrat përcaktojnë seksin e foshnjës në varësi të faktit nëse sperma e tyre mbart një kromozom X ose Y. Një kromozom X kombinohet me kromozomin X të nënës për të bërë një vajzë (XX) dhe një kromozom Y do të kombinohet me atë të nënës për të bërë një djalë (XY).

Studimi i Universitetit Newcastle tregon që një gjen ende i pazbuluar kontrollon nëse sperma e një burri përmban më shumë kromozome X ose Y, gjë që ndikon në seksin e fëmijëve të tij. Në një shkallë më të madhe, numri i burrave me më shumë spermë X në krahasim me numrin e burrave me më shumë spermë Y ndikon në raportin gjinor të fëmijëve të lindur çdo vit.

Djem apo vajza?

Një gjen përbëhet nga dy pjesë të quajtura alele, secila e trashëguar nga secili prind. Në letrën e tij, Z. Gellatly demonstron se ka të ngjarë që burrat mbajnë dy lloje të ndryshme alelesh, gjë që rezulton në tre kombinime të mundshme në një gjeni që kontrollon raportin e spermës X dhe Y:

*Burrat me kombinimin e parë, të njohur si mm, prodhojnë më shumë spermë Y dhe kanë më shumë djem.

*E dyta, e njohur si mf, prodhon një numër afërsisht të barabartë të spermës X dhe Y dhe ka një numër afërsisht të barabartë të djemve dhe vajzave.

*E treta, e njohur si ff, prodhon më shumë spermë X dhe ka më shumë vajza.

“Gjeni që transmetohet nga të dy prindërit, i cili bën që disa burra të kenë më shumë djem dhe disa të kenë më shumë vajza, mund të shpjegojë pse ne e shohim numrin e burrave dhe grave përafërsisht të balancuar në një popullsi. Nëse ka shumë meshkuj në popullsi, për shembull, femrat do të gjejnë më lehtë një bashkëshort, kështu që burrat që kanë më shumë vajza do të transmetojnë më shumë gjenet e tyre, duke bërë që më shumë femra të lindin në brezat e mëvonshëm.” – thotë studiuesi i Universitetit Newcastle, z. Gellatly.

Pas luftërave kanë lindur më shumë djem

Në shumë nga vendet që luftuan në Luftërat Botërore, pati një rritje të papritur të numrit të djemve të lindur më pas. Një vit pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, lindën dy djem shtesë për çdo 100 vajza në Mbretërinë e Bashkuar, në krahasim me vitin para fillimit të luftës. Gjeni, të cilin Gellatly e ka përshkruar në hulumtimin e tij, mund të shpjegojë pse ndodhi kjo.

Duke qenë se gjasat ishin në favor të burrave me më shumë djem – të shihnin një djalë të tyre duke u kthyer nga lufta, ata djem kishin më shumë të ngjarë të ishin edhe vet baballarë të djemve, pasi që ketë e kishin të trashëguar nga baballarët e tyre. Në të kundërtën, burrat që ishin prindër të më shumë vajzave se djemve, kishin gjasa më të mëdha t’i kenë humbur djemtë e tyre të vetëm në luftë – djem të cilët kishin gjasa të ‘lindin’ më shumë vajza se djem.
Kjo e shpjegon atë se pse burrat që i mbijetuan luftës bënë më shumë fëmijë djem sesa vajza, gjë që ndikoi në “lulëzimin” e djemve.

Në shumicën e vendeve, për aq kohë sa janë mbajtur të dhënat, kanë lindur më shumë djem sesa vajza. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, për shembull, aktualisht ka rreth 105 meshkuj të lindur për çdo 100 femra.

Është e dokumentuar që më shumë meshkuj vdesin në fëmijëri dhe para se të rriten aq sa të kenë fëmijë. Pra, në të njëjtën mënyrë që gjeni mund të ndikojë që më shumë djem të lindin pas luftërave, gjithashtu mund të ndikojë që më shumë djem të lindin çdo vit. /SHQIP.com