Lajme

Studentët pa qasje në literaturë, profesorët ua shpërndajnë përmes email-it

Këtë muaj Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, kremtoi 53-vjetorin e themelimit, por megjithëse kanë kaluar gjysmë shekulli punë, studentët vazhdojnë të mos mund të pajisen me literaturë përmes internetit.

Mungesa e literaturës paraqitet si problem sidomos në kohën kur gjatë afateve të provimeve, studentët duhet të jenë të përgatitur për t’iu nënshtruar provimeve.

“Vitet e fundit sidomos gjatë dhe pas pandemisë, shumica e stafit akademik literaturën e përcjell përmes email-it. Disa prej njësive akademike e ka të ngarkuar në SEMS literaturën dhe si të tillë është më lehtë për të pasur qasje”, ka thënë për Shqip.com, Qlirim Hoti nga Parlamenti Studentor.

Më tutje Hoti ka treguar se çfarë zgjidhje janë detyruar të bëjnë studentët për të siguruar literaturën.

“Ka ndryshuar pak çmimi shkaku i shtrenjtimit të çmimit të letrës. Literaturën zakonisht e sigurojnë nga studentët që i përkasin gjeneratës me të vjetër, apo duke i shënuar direkt profesorit. Literaturën e gjejnë edhe në fotokopjet, të cilat janë afër fakulteteve”.

Parlamenti Studentor

Për këtë ankesë ai thotë se janë drejtuar edhe me kërkesë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Rektoratit ju kemi drejtuar me kërkesën për të ngarkuar i gjithë stafi akademik literaturën në SEMS, si platformë zyrtare e UP-së dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së Senatit”, thotë Hoti.

Mungesa e literaturës

E nga Universiteti i Prishtinës janë lëvduar se kanë përmirësuar qasjen në literaturën lokale dhe  atë ndërkombëtare.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është i mbështetur nga një projekt i Bashkimit Evropian që në të ardhmen e afërt do të ofroj qasje në platformën SCOPUS në një bazë të dhënash bibliografike që ofron qasje në literaturën shkencore cilësore nga më shumë se 5,000 botues. Kjo platformë ofron një pasuri burimesh, duke përfshirë revista të shqyrtuara nga ekspertët, libra dhe akte të konferencave, duke siguruar stafin akademik dhe studentët me të dhëna të fundit, dhe njohuri në fushat e tyre të ndryshme. Komuniteti ynë akademik mund të përdorë SCOPUS për të qenë në kontakt me burime të besueshme dhe për të qëndruar të azhurnuar me trendet e kërkimit aktual, që është e rëndësishme për të arritur një nivel të lartë akademik”, thotë për Shqip.com, Njomza Llullaku, Prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve.

Njomza Llullaku – Prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve në UP

Po ashtu nga Universiteti i Prishtinës kanë thënë se kanë bërë të mundur për stafin akademik dhe studentët, mjetin kundër plagjiaturës, platformën Turnitin, për të siguruar integritetin akademik dhe promovimin e dijes.

/Shqip.com