Lajme Botë

Stoltenberg: Shpërthimi në Poloni me gjasë u shkaktua nga raketa e mbrojtjes ajrore të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ajo e nisi luftën.

Ai tha se po vazhdojnë hetimet për këtë shpërthim dhe se duhet të priten rezultatet e tyre, por se “analizat tona preliminare sugjerojnë se incidenti me gjasë u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që u lëshua për ta mbrojtur territorin ukrainas ndaj sulmeve ruse”.

“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia e mban përgjegjësinë përfundimtare pasi që po e vazhdon luftën e saj të jashtëligjshme kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg, gjithashtu, shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.

Mbledhja e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel u thirr me kërkesë të Polonisë, anëtare e aleancës, dhe kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili do të mbajë më pas një konferencë shtypi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Joe Biden ka thënë se raketa që ra në Poloni, duke vrarë dy persona, nuk kishte gjasa të ishte lëshuar nga Rusia për shkak të trajektores së saj.

Përmes një deklarate të përbashkët, të gjithë liderët botërorë kanë dënuar sulmet nga raketat ruse në drejtim të infrastrukturës civile të Ukrainës.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se ai respekton mohimin e përfshirjes së Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në Poloni, por shtoi se incidenti duhet të hetohet.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se rënia e një rakete brenda kufirit të Polonisë tregon se Perëndimi po i afrohet një lufte botërore.

Presidenti polak Andrzej Duda ka thënë se nuk ka “asnjë indikacion” se raketa që ra në Poloni të martën ishte një “sulm i qëllimshëm” ndaj vendit.

/Shqip.com