Ekonomi

Stimulim për zhvillim, apo mashtrim i qytetarëve? – Shpërndarja e buxhetit për vitin 2021

Ilustrim

Projektligji për Buxhetin në lexim të parë ka kaluar, tash mjafton edhe një ngritje duarsh e të paktëve 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës për t’u jetësuar buxheti për vitin 2022.

Krahasuar me vitin aktual; pra 2021, do të ketë 321 milionë euro më shumë në arkën e shtetit. Pra, një buxhet prej 2 miliardë e 746 milionë euro.

Por, me shtimin e të hyrave buxhetore 16 për qind – megjithatë do të ketë edhe rritje të shpenzimeve.

Këto kosto do të jenë 9 për qind më të larta, kur i krahasojmë dy vitet ndërmjet veti.

Një pjesë të këtyre shpenzimeve e ka bërë edhe rritja e skemave sociale.

Bazuar mbi të dhënat e publikuara nga Qeveria dhe Kuvendi, deficiti buxhetor do të jetë 3 për qind të GDP-së së përgjithshme të Kosovës.

Ekonomia dhe pandemia

Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka premtuar 420 milionë euro pako për “Ringjalljen Ekonomike”.

Këto mjete parashihen edhe në projektligjin e buxhetit.

Shuma e Pakos së Ringjalljes Ekonomike planifikohet të financohet nga buxheti 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro tjera janë financim nga huamarrja.

Opozita e ka kritikuar ekzekutivin se është  duke e rritur borxhin publik në saje të disa politikave sociale.

“Dallime mes keysianizmit dhe haykiazmit”, do ta quante këtë kryeministri, Albin Kurti.

Çfarë do të përmbajë kjo pako?

Bazuar mbi të dhënat që i ka publikuar Ministria e Financave, pako për Ringjalljen Ekonomike do të ketë pesë prioritete.

Prioriteti i  parë – punësimi

Ilustrim

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, ka deklaruar se pandemia ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës.

Për këtë, top prioritet në Pakon e Ringjalljes Ekonomike e kanë edhe rikthimin e vendeve të punës për ata që i kanë humbur ato.

Pra, 10 milionë euro do të ndahen që të rigjenden në punë qytetarët që pandemia i largoi nga burimi i të ardhurave mujore.

Njëjtë edhe gratë do të mbështeten me pesë milionë, ndërkaq, skema e punësimit për të rinjtë vlen 10 milionë.

Të rinjtë do të mbështeten edhe në trajnimin dhe punësimin e IT me linjën buxhetore që grumbullon pesë milion euro.

Sa kjo shumë do të ketë ndarje edhe për skemën e grandeve dhe zanateve si dhe mbështetjen e personave me  nevoja të veçanta.

Prioriteti i dytë – biznesi

Ilustrim

Si të punësuarit do të mbështeten edhe kompanitë që punësojnë.

30 milionë euro – subvencionimi i kredive investive e 13 milionë euro më shumë për përkrahjen e bizneseve për qasje në financa.

Pos industrive tradicionale, 10 milionë do të ofrohen për investime në IT dhe inovacion.

Shumë e njëjtë edhe për përkrahjen e eksportit dhe investimet në bujqësi dhe agro-turizëm.

Por, nuk do të harrohet as hoteleria, sidomos objekteve që rrethanat ia pandemisë “ia vendosen drynin”. Do të mbështeten me pesë milionë euro.

Prioriteti i tretë – familja

Ilustrim

Pako e Ringjalljes Ekonomike sipas Qeverisë është dizajnuar për shkak të situatës së pandemisë COVID-19.

Kjo pandemi shkaktoi edhe humbje njerëzore.

Familjet që humbën kryefamiljarin  nga COVID-19 do të përkrahen në totalin e ndarë prej katë milionë eurove.

Njëjtë edhe kategoritë e prekura financiarisht, 17 milionë euro për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

Këto familje kanë nevojë më shumë për ushqim, kështu katër milionë do të investohen për kupona ushqimi.

Njëashtu 12 milionë për asistencë sociale e 10 të tjerë shikojnë në mbështetjen e likuiditetit familjar.

Prioriteti i katërt – arsimi dhe shëndetësia

ilustrim

Qeveria thotë se prioritet e ka edhe arsimin, shëndetësinë dhe sportin.

Kështu më së shumti mjete shkojnë për shëndetësi 53 milionë nga Pako 420 milionëshe.

Ndërkaq, më së paku për arsimin, nëntë milionë shtesë.

Do të ndahen mjete edhe për kulturë e sportin, gjithsej 5 milionë aq sa do të jenë në dispozicion edhe për mërgatën.

Por, për këto investime duhet siguri më shumë – ndarja për këtë dikastër shkon në 10 milionë euro brenda Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Më shumë se për siguri do të shkojnë shtesa për Ndërmarrjet Publike, plotë 30 milionë.

Prioriteti i pestë

Është Investimi në infrastrukturë dhe ambient dhe nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.

Buxheti nëpër institucione.

Ilustrim

Më së shumti buxhet do të ketë Ministria e Financave; pra mbi 925 milionë euro.

Krahasuar me vitin 2021 nënkupton se Ministria e Financave do të ketë të hyra 22.96 për qind më shumë.

Po ashtu, më shumë para për investim do të ketë edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga 200 milionë në 235 milionë, apo 17.71 për qind ngritje.

Ashtu siç ishte premtuar, Ministria e Mbrojtjes do të ketë buxhet më shumë se 100 milionë euro, saktësisht 102 milionë e 305 mijë e 450. Nënkupton 41.74 për qind rritje.

Rritje pritet të kenë edhe Ministria e Arsimit ( 12.85 për qind).  Këshilli Gjyqësor do të ketë 10.62 për qind më shumë mjete financiare.

Po ashtu edhe zyra e presidencës do të ketë më shumë monedha në qarkullim; 3 milion e 648 mijë e 15 euro.

Disa do të kenë më pak para

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe  Tregtisë pritet të ketë 48. 30 për qind më pak.

Ani pse është pandemi globale edhe Ministria e Shëndetësisë do të ketë 47.83 për qind më pak mjete. Saktësisht do të bie nga mbi 117 milionë në 61 milionë.

Edhe KQZ, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, Radio Televizioni i Kosovës, Ministria e Bujqësisë – do të kenë ulje të qarkullimit vjetor.

Buxheti nëpër komuna

Ilustrim

Kosova në vitin 2021 mbajti zgjedhjet lokale. Shumë premtime për projekte u dhanë.

Por, totali i buxhetit të ndarë për komuna është 22.44 për qind.

Ndërkaq, 77.56 për qind të tjera shkojnë për institucionet e qendrës

Këndvështrime të kundërta

“Buxhet që stimulon zhvillimin”, e ka cilësuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Ai në një përgjigje për Shqip.com, ka deklaruar se ka tepër rëndësi për ekonominë rritja e të hyrave buxhetore.

“Është buxheti me shumën më të lartë në histori të Kosovës”.

Shton se një buxhet i tillë do ta rrisë punësimin e do ta ulë varfërinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëndosje, Visar Korenica

Por, krejt diçka tjetër mendon deputeti opozitar i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku.

Në seancën ku u votua projektligji i buxhetit në shqyrtim të parë e ka cilësuar projektligjin e buxhetit diçka “që nuk e stiumulon aspak rritjen e mirëqenies sociale”.

Ka përmendur edhe uljen të hyrave për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Qeveria Kurti me vite të tëra ka mashtruar qytetarët e Kosovës se po sa të vijnë ata në pushtet do të rrisin pagat, do të përmirësojnë cilësinë në arsim, do të përmirësojnë cilësinë në shëndetësi do të rrisin punësimin, do të zhvillojnë biznesin, do të rrisin prodhimin vendor to të rrisin eksportet dhe do zvogëlojnë importet”, ka thënë  Lushtaku.

Këtë projektligj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka parë si “më të mirin në historinë  e saj”. /Shqip.com

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku