Lajme

Specialja e liron Hysni Gucatin për vizitë familjare në Kosovë

Hysni Gucati në Hagë

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, Hysni Gucati ka vizituar sot varrin e babait të tij, në varrezat e fshatit Marinë.

Ardhjen e tij e kanë konfirmuar për SHQIP.com, nga Dhomat e Specializuara për Kosovën.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z.Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Hysni Gucati me babain e tij të ndjerë, Avdulla Gucati

Gucati i cili është dënuar me burg nga Gjykata Speciale nuk ka qenë i pranishëm në varrimin e të atit, i cili ka ndërruar jetë më 27 maj.

Nga burgu i Gjykatës Speciale në Hagë, Gucati përmes një letre dërguar familjarëve të tij, ka shprehur dhimbjen për humbjen e të atit.

Lexo edhe:
Gucati çon letër nga burgu për vdekjen e të atit: Plumbi nuk më dha aq dhimbje sa lajmi që nuk më paske pritë

“ Plumbi nuk më dha aq dhimbje sa lajmi që nuk më paske pritë”, kishte shkruar mes tjerash, Gucati./Shqip.com