Specialja do të nisë hetimet lidhur me aferën 150 mijë euroshe të ish-kryeprokurorit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me rastin ku u dhanë më shumë se 150 mijë euro për zgjedhjen e disa lëndëve në gjykatë.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, veprime ligjore do të merren ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë rast.
“Menjëherë pas publikimit të këtij emisioni, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar të gjitha të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim medial dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e PSK-së.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, ka folur për hulumtimin e emisionit “Kallxo Përnime” duke thënë se si prokurori do të veprojnë për këtë rast.
“Po pres me pa edhe sonte pjesën e dytë. Prokuroria e ka për detyrë ligjore me vepru, kjo s’ka dilemë, është punë e Prokurorisë”- ka thënë Kelmendi.
Biznesmeni Sali Dakaj ka vendosur ta japë versionin e tij për pretendimet e tij se i dha 150 mijë euro që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.
Dakaj ka pranuar të bashkëpunojë me emisionin “Kallxo Përnime” dhe të filmojë e incizojë takimet për të arritur të dokumentojë se si i dha paratë, si iu premtua që lënda do të zgjidhej dhe si arriti të ulej në takim me në atë kohë kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërgutin.
Gjatë këtyre takimeve Haxhi Dërguti e pranon para Dakajt se ai e ka ditur se ka qenë duke u përgjuar pasi, siç thotë ai vetë, një polic ka shkuar dhe i ka treguar.
Dërguti këto komente i bëri kur i tregonte Dakajt se pse nuk ia ka hapur telefonin për të diskutuar për lëndën e këtij të fundit.
Kur u pyet nga emisioni se pse ka pohuar kështu në video-incizimet dhe si e mori vesh që ishte përgjuar, Dërguti tha se nuk e ka ditur këtë dhe se e ka pohuar vetëm për justifikim.
Dje gjatë ditës, Shqip.com, ka kontaktuar me Dërgutin, i cili në një përgjigje të shkurtër ka thënë se rastin e ka paraqitur në polici, me pretendimet se i është keqpërdorur emri.
Kujtojmë se Shqip.com, ka shkruar edhe më herët për profilin e kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutin sepse kjo nuk është hera e parë që i njëjti dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare.
Në një hulumtim të Shqip.com, Haxhi Dëguti punësoi disa familjarë të tij në KEDS. Ai mban rekordin e familjarëve të punësuar në KEDS.
Lexo edhe:
Në rrugë nga KEDS-i, të braktisur nga Shteti
Ai ka punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina.
Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit “Kallxo Përnime” për aferën e korrupsionit, në të cilën u përfshi ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, ky i fundit pretendon se në bazë të informacioneve që i posedon, ish-Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi është i infiltruar drejpërdrejt në korrupsion.
/Shqip.com