Spanja miraton planin e kursimit të energjisë

Parlamenti spanjoll miratoi të enjten planin e kursimit të energjisë elektrike që përfshinë disa rregulla si një përpjekje për të reduktuar varësinë nga gazi rus.
Siç raporton Reuters, pjesë e planit të kursimit të energjisë elektrike janë ndalja e dritave në institucione, vende publike e dyqane si dhe ndalimi i përdorimit tej mase i kondicionerit.
“Masat nënkuptojnë një kursim për ata që i zbatojnë ato. Ato janë gjithashtu një frymëzim për partnerët e tjerë evropianë.”, ka thënë ministrja e Energjisë Teresa Ribera, përpara votimit të planit.

Gjatë muajit shtator priten të merren edhe masa të tjera për të reduktuar edhe më shumë përdorimin e energjisë elektrike.
Ministrja e Energjisë Teresa Ribera, ka thënë se masat e vendosura që javën e parë reduktuan përdorimin e energjisë elektrike deri në 6%.

Qeverisë së koalicionit me kryeministrin socialist, Pedro Sanchez, i mungon shumica në parlament, por ajo arriti të miratojë rregullat me mbështetjen e partive më të vogla rajonale.

Njëra ndër kundërshtaret kryesore të kësaj rregullore ka qenë partia konservatore e opozitës, Partia Popullore (PP) e cila votoi kundër masave, duke i quajtur shumë prej tyre “të improvizuara” dhe të dëmshme për ekonominë.
Ndër më kritiket ka qenë liderja rajonale e Madridit, Isabel Diaz Ayuso që ka thënë se do të kundërshtojë masat në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës.
Gjatë ditës së djeshme të tilla masa për kursimin e energjisë elektrike ka marrë edhe Gjermania e cila është një ndër klientët më të madh të gazit rus./Shqip.com