Lajme

SPAK kërkon t’i hiqet imuniteti, Berisha thërret mbështetësit në protestë, zbulohet ora dhe vendi

Ditën e hënë opozita ka njoftuar se do të mbajë një protestë. Tashmë janë zbuluar edhe detaje nga aksioni në fjalë që është në vijën e tensioneve të fundit që kanë ndodhur në Parlament.

“Opozita e të drejtave të mohuara në aksion”, ky është slogani i protestës.

Mësohet se protesta do të nisë në orën 11:30 dhe do të mbahet te Kryesia e Kuvendit.

Të hënën Këshilli i Mandateve do të diskutojë për mandatin e Sali Berishës, për të cilin SPAK ka kërkuar autorizim nga Parlamenti. Por pikërisht në këtë ditë, ku do të diskutohet për heqjen e imunitetit, deputetët e Partisë Demokratike do të mungojnë në këtë mbledhje, ndërsa Berisha ka thirrur mbështetësit në protestë.

Megjithatë, mësohet se vetë Berisha do të shkojë në mbledhje për të mbrojtur veten.

Nga ana tjetër, grupi i deputetëve që mbështet kryetarin e grupit parlamentar, Gazment Bardhi nuk do ta mbështesë protestën. Burime për Shqip.com bëjnë të ditur se deputetët e Gazment Bardhit do të vijojnë rezistencën e tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për realizimin e tre kërkesave.

Kujtojmë që SPAK kërkoi ashpërsim të masës ndaj Sali Berisha pasi ai refuzoi të paraqitej dy herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore me pretendimin se ishte shkelur Kushtetuta pa marrë më parë vendimin e Parlamentit. Tani, SPAK kërkon masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi, ose be burg” ndaj Sali Berishës.

/Shqip.com