Sot testohen sërish rrugët njëkahëshe

Komuna e Prishtinës sërish do të testojë rrugët njëkahëshe.
Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme duke filluar nga ora 06:00 deri në 23:40 do të vazhdoj testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
‘’Ju njoftojmë se, të shtunën më 21 maj dhe të dielën më 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet’’ thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Komuna u bën thirrje qytetarëve të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete.
Qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve : Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës,Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia,Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE,Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit./Shqip.com