Sot në Bruksel takohen Bislimi dhe Petkoviq

Dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen të sot për të diskutuar mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve së Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe krijimin e një Komisioni të Përbashkët.
Bashkimi Evropian tha se udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë pritet të jetë gjithashtu temë e diskutimeve diten e sotme.
“Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë nuk ishte një temë në negociatat që çuan në marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër. Megjithatë, ajo është pjesë e Marrëveshjeve të Dialogut të kaluar dhe rrjedhimisht e detyrueshme.
Me Marrëveshjen e re, palët u zotuan të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e kaluara të Dialogut”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në konferencën për media.
Kujtojmë se marrëveshja për energjinë u arrit në tetor të vitit të kaluar, pas ndërhyrjes së BE-së meqë Kosova kërcënoi me tërheqje të licencës për operatorin serb Elektrosever për shkak të mospërmbushjes së kritereve të parapara me Udhërrëfyes.
“Elektrosever”, pronë e kompanisë energjetike të Serbisë mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit të kaluar.
Marrëveshja për energjinë ndërmjet Koosvës dhe Serbisë u arrit që më 2013, por ajo nuk u zbatua asnjëherë.
/Shqip.com