Lajme

Sot, Këshilli i Ministrave të BE-së do të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën

Flamuri i Bashkimit Evropian dhe ai i Kosovës

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), do të mblidhet gjatë ditës së sotme, ku në agjendë është edhe miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Demush Shasha.

“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovon liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar Shasha në Facebook, ku ka prezantuar edhe një dokument.

Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se qëndrimi që “jo më vonë se 1 janar 2024 nuk do të thotë se [liberalizimi] nuk mund të ndodhë më herët“.

/Shqip.com