Sonte në Dokufest shfaqet filmi “Mbijetesa e shkolla”

Në Prizren nga data 6 gusht është duke u mbajtur festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, i cili këtë vit shënon edicionin e 20 jubilar.
Në këtë festival po marrin pjesë 230 filma të realizuar nga regjisorë të 60 vendeve.
E sonte, në orën 20:00 në DokuKino Plato shfaqet filmi dokumentar “Mbijetesa e shkolla”.
Producent e skenarist i këtij filmi është Nuhi Bytyçi, regjisor, Ilir Kabashi dhe drejtor i fotografisë, Bekim Qyqalla.
Filmi po pritet me interesim të veçantë nga kineastët nga mbarë bota, të cilët po marrin pjesë në këtë festival dhe janë duke i shijuar filmat të cilën po shfaqen.

Ndërkohë, ky film ka marrë 7 çmime nga juritë profesionale të festivaleve të filmave ndërkombëtarë.
Theksojmë që të premten zyrtarisht ka nisur edicioni i 20-të i festivalit të njohur të filmit, DokuFest.
DokuFest përndryshe njihet si një nga festivalet më të mëdha të filmit në vend.
Ceremonia e hapjes u pasua me shfaqjen e filmit francez “Les Sorcières de l’Orient” nga Julien Faraut,France.

Nga data 25 gusht, drejtori i DokuFest do të qëndrojë në rajonin e Hauts-de-France së bashku me rreth dhjetë profesionistë nga Kosova, në kuadër të një misioni të organizuar dhe financuar nga Ambasada e Francës.
Vitin e kaluar, DokuFest-i u mbajt në platformë online, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19./SHQIP.com