Lajme

Skënder Hyseni për protestën e PSD-së: E shpërfaqi lakuriq mjerimin e opozitës parlamentare të Kosovës

Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se protesta e mbajtur nga Partia Socialdemokrate të shtunën, “shpërfaqi lakuriq mjerimin e opozitës parlamentare të Kosovës”, përcjell Shqip.com.

Hyseni, në një postim në Facebook e ka quajtur opozitën kalkulante dhe sipas tij pothuajse është inekzistente.

“Protesta e PSD-së sot është, mbase një nga protestat e rralla për një kauzë reale, tokësore, në interes të qytetarit të Kosovës. Protestë kundër mashtrimit dhe manipulimit!

Në të njëjtën kohë, kjo protestë shpërfaqi lakuriq mjerimin e opozitës parlamentare të Kosovës. Opozitë kalkulante, pothuaj inekzistente. Opozitë, larg halleve dhe interesave qytetare”, ka shkruar Hyseni.

PSD-ja gjatë ditës së shtune ka mbajtur protestë para Qeverisë së Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Këtë protestë e kanë përkrahur edhe zyrtarë të tjerë, si deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ndryshe, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë se numri i protestuesve ishte rreth dy mijë e 500 deri në tre mijë persona. /SHQIP.com