Sipërmarrësja e suksesshme Arjodita Mustali merr çmimin “Female Business Leader of the Year”

Sipërmarrësja e sukseshme shqiptare, Arjodita Mustali është vlerësuar me çmimin “Female Business Leader of the Year” (Femra Lider në Biznes për këtë Vit) nga “Future of Emerging Europe”. Një organizatë kjo me fokus zhvillimin social, ekonomik dhe demokratik në 23 vende të Europës Qendrore, Lindore, Juglindore dhe Kaukazit të Jugut.
“Female Business Leader of the Year” është një çmim që jepet çdo vit nga “Future of Emerging Europe”, për gratë sipërmarrëse të suksesshme.
Arjodita Mustali, themeluese dhe drejtuese e Vigan Group është një sipërmarrëse e suksesshme, zhvilluese biznesi, eksperte për biznese BPO (Business Process Outsourcing) dhe folëse në publik, me mbi 13 vjet përvojë.

Ajo ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në startup-e dhe zhvillimin e biznesit në Shqipëri. Arjodita mbështet në mënyrë aktive startup-et përmes asistencës financiare dhe shkëmbimit të eksperiencës dhe ajo bashkëthemeloi “Albanian Business Association” aktualisht Association of Business Service Leaders (ABSL Albania), duke nxitur zhvillimin e sektorit dhe bizneseve BPO në vend. Përveç kësaj, ajo nxit dhe mbështet sipërmarrësit aspirantë, veçanërisht gratë profesioniste si dhe është bashkëautore e një manuali mbi rrugëtimin e grave drejt suksesit.
Arjodita është bashkëthemeluese e koorporatës së parë të shërbimeve të jashtme në Shqipëri, duke punësuar mbi 300 persona. Ajo e ka diversifikuar angazhimin e saj duke mbështetur startup-et në industri të ndryshme si pasuritë e paluajtshme, restorantet dhe zhvillimi personal. Si një folëse e kërkuar në publik, trajnere biznesi dhe me përvojë në biznes, Arjodita vazhdon të nxisë sipërmarrjen dhe të mbështesë startup-et premtuese.
CEO e Vigan Group
Arjodita Mustali është themeluese e Vigan Group, një kompani investimesh me rritje të shpejtë e specializuar në teknologjinë e re dhe e fokusuar në bizneset e reja dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Me bazë në Tiranë, Shqipëri, me prezencë në Europë, SHBA, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, Vigan Group operon kryesisht në Shqipëri, ndërsa shtrihet në të gjithë rajonin e Ballkanit. Si një biznes me përvojë, Vigan Group ofron jo vetëm financime, por edhe ndihmon në drejtim të të mësuarit dhe strategji të vlefshme menaxhimi për projekte komplekse. Nëpërmjet përvojës, besueshmërisë, inovacionit kulturor dhe social, Vigan Group synon të nxisë një menalitet të ri për rritjen e biznesit. Qasja bashkëpunuese e Vigan Group përfshin bizneset, individët, institucionet, akademinë, trajnimin dhe arsimin, duke punuar me qëllim krijimin e një ekosistem të lulëzuar që promovon suksesin e ndërsjellë.
/Shqip.com