Sindikatat me pakënaqësi rreth Ligjit për Paga: Presidentja për dy vjet i merr 100 mijë euro, punëtori i arsimit s’i merr këto për 40 vjet punë

Sindikatat në Kosovë po shprehin pakënaqesi rreth Ligjit të ri të Pagave.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Rrahman Jasharaj tha për Shqip.com se janë kundër koeficientit 1 me 20, sipas parashikimit të këtij ligji.
“Jemi kundër që dallimi të jetë 1 me 20 të koeficientit. Mendojmë se është shumë e lartë. Nuk kemi lëvizje pozitive në koeficient, përkundrazi ka ulje. Ky ligj për ne është i papranueshëm dhe e kundërshtojmë”, u shpreh Jasharaj.
Nga kjo sindikatë deklarojnë se një punëtor i arsimit duhet të paguhet sa presidenti i vendit.
“Presidentja dy vjet merr pagë sa një punëtor i arsimit që del në pension. Nuk ka mundësi. Nëse koeficienti e ka vlerën 200, presidentja i merr 4 mijë euro. Në këtë rast presidentja i merr 48 mijë euro për një vit kurse për dy vjet i merr gati 100 mijë euro. Këtë shumë nuk mundet punëtori i arsimit t’i marrë për 40 vjet përvojë pune”,

Ai thotë se në rast se nuk përpilohet koeficienti sipas pritshmërive të tyre, atëherë do të thërrasin protesta dhe greva.
“Ne (SBASHK) do t’i lëmë hapësirë edhe dialogut por nuk përjashtohet mundësia edhe për veprime tjera sindikale sepse do të mundohemi me të gjitha mundësitë tona që sistemi shëndetësor të ketë vendim e mëritur dhe jo të nënqmohet si deri tani”, tha Jasharaj për Shqip.com.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Syla për Shqip.com se thotë se nuk pajtohen me pagat aktuale që janë në shëndetësi derisa pret që të ndryshojnë.
“Ne ende nuk e dimë se sa është vlera e koeficientit por çka dëshirojmë dhe kërkojmë është që më në fund stafi i shëndetësisë ta gjejë vendin e merituar në shoqëri. Pra, nuk ka më paga kështu me 600 euro dhe 370 euro”,
Ai thotë se “shëndetësia duhet ta ketë vendim më meritor në këtë ligj pasi e ka dëshmuar vetën në dy vjetët e fundit”.
Në anën tjetër, sindikata e Infermierëve të Kosovës ka thënë se do të dërgojnë Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo pasi thonë se ka dallim në koeficientin mes infermierëve me logopedët dhe fizioterapeutët.
“Në vitin 2019 Sindikata e Infermierëve të Kosovës dërgoi Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese për shkak të dallimeve të mëdha që kishin koeficientët e pagave mes infermierëve dhe fizioterapeutëve E logopedëve. Të njëjtën gjë, prapë do ta dërgojmë Ligjin e Pagave në Gjykatë Kushtetuese nëse ndodhë një gabim i tillë”.
“Po ashtu do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore çdo koeficient që është në kundërshtim me kërkesat e infermierëve”, thuhet në njoftim.
Ligji për paga në bazë të cilit parashihej rritja e pagave në sistemin shëndetësor, ishte miratuar në muajin shkurt të vitit 2019, kurse në fillim të muajit mars kishte hyrë në fuqi.
Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Kushtetuesja më pas e shpalli të pavlefshëm këtë ligj./Shqip.com