Lajme

“Ka gabuar KQZ-ja, unë banoj në Ferizaj”

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi, ka thënë se është banore e kësaj komune.

Në media të enjten është raportuar se Halimi “nuk është banore e Ferizajt”.

Halimi për Gazetën Online Shqip.com, ka thënë se ky mund të jetë një gabim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Sigurisht duhet të jetë një gabim teknik nga ana e KQZ-së. Ne duhet ta kemi parasysh se KQZ-ja është vetëm në fazën shqyrtuese të kërkesave për çertifikim.”

“E rëndësishme është se unë jam banore e komunës së Ferizajt, në të njejtën kohë edhe kandidate për kryetare të Komunës dhe gjithçka është në rregull sa i përket dokumentacionit”, ka deklaruar ajo.

Halimi synon të jetë e para në Ferizaj, ndërsa kundër-kandidatë i ka kryetarin aktual Agim Aliun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Valon Ramadanin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu thirret në “punët e mira” që thotë t’i ketë bërë për Ferizajn, ndërsa Ramadani në fitoren që VV e arriti në Ferizaj gjatë zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, duke dalë bindshëm e para.

Halimi do të mundohet ta rikthejë pushtetin e LDK-së në Ferizaj, që e humbi në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Por, pushtetin e humbur LDK do të mundohet ta rikthejë edhe në Prishtinë.

Këtë e pretendon përmes Përparim Ramës, ndaj të cilit është raportuar në media që “s’ka letërnjoftim të Kosovës”.

Njëjtë, edhe ky ka deklaruar se “ka qenë gabim i KQZ-së”.

LDK më 14 shkurt mori rezultatin më të keq në histori të saj.

Pak më shumë se 12 për qind e qytetarëve i besuan partisë që udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Pas kësaj, përmes një konvente të jashtëzakonshme, timonin e subjektit më të vjetër politik në Kosovë e mori Lumir Abdixhiku.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të jenë testi i parë për 38 vjeçarin. /Shqip.com