“Si troket vjeshta?”, libri më i ri poetik i Maxhun Osmanajt

Shkrimtari tashmë i njohur për fëmijë e të rinj, Maxhun Osmanaj, vjen me librin e tij të fundit poetik, të titulluar: “Si troket vjeshta?”. Ai tashmë ka një traditë të gjatë letrare dhe është dëshmuar me lirikat e tij poetike.
Sipas vlerësimit kritik, libri poetik “Si troket vjeshta?” është një pikëarritje e re në krijimtarinë e larmishme letrare të shkrimtarit Maxhun Osmanaj. Veçanërisht në krijimet poetike të këtij vëllimi spikat koha më përmalljet, dramatiken, nostalgjinë e ardhmërinë e saj.
Dhe në këtë konkretësi, dialogu me poetin është i tillë sa imazhi në ndërtimin e poezisë është i pasur dhe plot ngjyra.
Te libri poetik “Si troket vjeshta?”, studiuesi i njohur nga Shqipëria, Xhahid Bushati, ka thënë se shkrimtari Osmanaj e shpërfaq mallin për vendlindjen, si kalë pa fre…

Shqip.com: Po e nisemi këtë intervistë me pyetjen se kontakti i parë i lexuesit me një libër është titulli. Atëherë, çka simbolizon titulli i përmbledhjes poetike “Si troket vjeshta?”
Maxhun Osmanaj: Po, pajtohem, kontakti i parë i lexuesit është titulli, pra titulli në një formë e thërret lexuesin, por duhet ditur se çfarë brumi letrar ka brenda për ta bindur lexuesin, për t’ia kënaqur shijet estetike lexuesit, sepse fundja, nëse i pëlqen lexuesit libri, ai do të ruajë në kujtesë ndonjë personazh apo ndonjë rresht a strofë. Titulli “Si troket vjeshta?”, simbolizon si troket pleqëria në udhëtimin e krijuesit, meqë vjeshta simbolizon një stinë të bereqetshme. Edhe krijuesi, edhe unë, i kam pritur këto 65 vite me disa suksese në rrafshin letrar.
Shqip.com: Cila është tematika e librit në fjalë (informacione përmbledhëse për lexuesin)?
Maxhun Osmanaj: “Libri, në strukturën e tij ruan disa tematika, si: misioni i shenjtë i poetit, kujtimet e fëmijërisë, qyteti i lindjes, përjetësia dhe lavdia e disa shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj që kanë ndërruar jetë, Kosovës, nënave, si dhe disa vjersha me theks didaktik e edukativ…, etj., pra fryma e gjerë tematike ka bërë që poeti të ketë disa role, si: të shkrimtarit, prindit, gjyshit, mësuesit…, etj.”. (Fragment nga recensioni i Xhahid Bushatit, redaktor i këtij libri).
Shqip.com: Pra, brenda librit janë përfshirë poezi për fëmijë dhe të rinj. Pse kjo përzgjidhje, ky parapëlqim?
Maxhun Osmanaj: Po, brenda librit ka poezi për fëmijë dhe të rinj. Ka poezi të kapshme në aspektin didaktik-edukativ për moshat nëntë, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjeç. Fundja, “Studiuesit thonë se letërsia e vërtetë për fëmijë është ajo që e lexon me kënaqësi jo vetëm fëmija, por edhe njeriu i burrëruar dhe plaku”. Mendoj se nuk ka ndonjë vijë prerëse që e dallon poezinë në aspektin e moshës, por vlera artistike i bashkon moshat.

Shqip.com: Gjithashtu, libri është me ilustrime. A mendoni se është më e kapshme për lexuesin, sidomos për fëmijët?
Maxhun Osmanaj: Praktika ime gjatë leximit ka dëshmuar se ilustrimet e kanë efektin e pakrahasueshëm, sepse vetë vizatimi lidh emocionalisht ndjenjat dhe përjetimet me vargjet. Vizatimi shpie të mendimi, shija dhe mbresa pozitive. Nga nëntë libra sa kam për fëmijë, ky është me ilustrime. Në një formë e kam pasur si porosi nga i ndjeri, shkrimtari i njohur, Agim Deva, të cilin e kam pasur redaktor të një libri, dhe më pati thënë: “Maxhun, në të ardhmen kur të botosh, realizo poezinë me ilustrime”. Unë këtë e bëra me kënaqësi, ku piktori Besnik Hasanaj realizoi me mjeshtri 40 vizatime, që u pëlqyen shumë nga lexuesit.
Shqip.com: Zakonisht për gjuhën dhe stilin e një vepre flasin kritikët / studiuesit. Por ju si autor, na flisni pak për gjuhën dhe stilin e të shkruarit të kësaj vepre poetike?
Maxhun Osmanaj: Çdo lexues dallon-heton në njëfarë mënyre një stil, nëse ka formuar autori. Në fakt, siç thoni ju, për stilin u takon studiuesve të flasin, por unë kam pasur fatin të jem mësimdhënës për afër tri dekada dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Kam përdorë një stil të lehtë, të kapshëm për moshën, por gjithnjë duke ruajtur gjuhën e ëmbël letrare dhe duke përdorë ca figura letrare, ato kryesore. Ndërsa, zakonisht ka strofa katërvargëshe me rimë të kryqëzuar dhe me muzikalitet të këndshëm.
Shqip.com: Krejt në fund: Pse rekomandoni ju si autor të lexohet kjo përmbledhje me poezi?
Maxhun Osmanaj: Ftoj lexuesit ta lexojnë këtë vepër, sepse çdo poezi thërret ëmbël, me magjinë e rrëfimit poetik, me mesazhin edukativ që përcjell çdo poezi dhe secili lexues e gjen veten në mënyrën më të këndshme. Një lexuesit, sapo i ra në dorë, kur e lexoi me tha: “I paske shkrirë këto poezi, prof. Maxhun!”. Në atë çast u ndjeva i lumtur që vepra i la mbresa lexuesit.
/Shqip.com