Ekonomi

Si mund të ngadalësohet inflacioni?

Inflacioni do të jetë një nga problematikat kryesore me të cilat Kosova do të vazhdojë të përballet edhe në vitin 2023.

Kështu kanë deklaruar njohës të çështjeve ekonomike.

Megjithatë, ata presin që trendi i rritjes të jetë më i ngadalshëm se në vitin 2022, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të shënojë rënie. Një arsye për këtë optimizëm është stabilizimi i zinxhirit të furnizimeve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në vend, për vitin 2022, ka qenë 11.6 për qind. Në muajin dhjetor, ajo ka arritur në 12.1 për qind.

Këto shifra janë të larta, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Por, sipas tij, këtë inflacion nuk e kanë krijuar bizneset në Kosovë – ato e kanë importuar atë pasi kanë blerë me çmime më të larta, qoftë lëndë të parë, gjysmë-produkte apo produkte finale.

“Ky inflacion në Kosovë është dyshifror dhe është shumë i lartë. Në qoftë se hyjmë në strukturën e inflacionit, ne shohim se produktet ushqimore kanë dominuar dhe kanë shkuar me ngritje të çmimeve deri në 40 për qind ose ka raste edhe deri në 50 për qind. Kjo ka qenë shumë shqetësuese për këtë vit [2022]”, thotë Rafuna.

Raporti i Bankës Botërore i publikuar para disa ditës, thekson se Maqedonia e Veriut është shteti më i prekur nga rritja e inflacionit.

Sa për krahasim, inflacioni në Mal të Zi ishte 17,5%, në Serbi 15,1%, Kroaci 13,5% dhe në Slloveni 10,3%, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com