Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Rexhepi

Është shtyrë seanca fillestare ndaj të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak se mbrojtja kërkoi të shtyhet gjykimi në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.
Shtyrjen e seancës e kanë kërkuar avokatët mbrojtës të akuzuarave, raporton Betimi për Drejtësi.
Lidhur më këtë kërkesë, avokati i palës së dëmtuar Besnik Berisha, nuk pati kundërshtime, pasi që sipas tij pala e dëmtuar është e interesuar për një proces të rregullt, të ligjshëm dhe për drejtësi.
Prokurori i Rastit, Armend Hamiti në një konferencë për media disa ditë më parë u shpreh se arsyeja e vrasjes së Rexhepit dhe zhdukja e tij ka të bëjë me 30 mijë euro që të akuzuari besonin që i kishte viktima.
“Motivi I kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët. Sipas hetimit tonë i cili ka zgjatë për rreth 18 muaj rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material gjegjësisht shuma prej 30 mijë eurove ku të akuzuarit kanë besuar që i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon dhe kanë bërë plane ku edhe e kanë ekzekutuar”.
Bedri Rexhepi nga Lipjani u raportua si i zhdukur më 8 prill të viti 2021.
/Shqip.com