Shtyhet mbledhja e KQZ-së

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e paraparë të mbahet këtë të martë është shtyrë për një ditë më vonë, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi.
Në një deklarim për media, ai tha se anëtarët e KQZ-së kanë konsideruar se iu duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.
“Mbledhja e paraparë që të mbahet sot është shtyrë për ditën e nesërme pasi anëtarët e KQZ-së konsideruan se do t’u duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për ditën e sotme”, u shpreh Elezi.
Sa i përket zgjedhjeve që pritet të mbahen në katër komunat në veri të vendit, ai deklaroi se KQZ-ja po vazhdon përgatitjet në kuadër të planifikimeve.
I pyetur se a ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Elezi tha se KQZ-ja është institucion që ka për detyrë të përgatis një proces zgjedhor në aspektin teknik.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
/Shqip.com