Lajme

Shtetet e QUINT-it kërkojnë nga Qeveria lejimin e votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi, përcjell Shqip.com.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Lexo edhe:
Borrell del pro votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Sipas tyre, përmes këtyre reformave Serbia është një hap përpara drejt përafrimit me standardet evropiane dhe se do mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimit Evropian.

Tutje, shtetet kanë bërë thirrje nga dy Qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet, e të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet tutje.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, njerëzit duhet të kenë të drejtën për të votuar, duke përmendur se në të kaluarën një proces i tillë është bërë nga OSBE-ja në Kosovë.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.

“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com