Teknologji

Shtëpia e Bardhë vendos afat për fshirjen e TikTok-ut nga pajisjet federale

Shtëpia e Bardhë iu ka dhënë kohë 30 ditë, të gjitha agjencive qeveritare për të fshirë aplikacionin TikTok nga pajisjet dhe sistemet federale.

Drejtoresha e Zyrës së Administrimit dhe Buxhetit, Shalanda Young në një memorandum udhëzues tha se kjo është një përpjekje për të mbajtur të dhënat amerikane të sigurta.

Departamenti e kishte ndaluar TikTok nga pajisjet qeveritare përpara votimit.

Të martën, Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve është vendosur të votojë mbi një projekt-ligj që do t’i jepte presidentit Joe Biden autoritetin për të ndaluar TikTok nga të gjitha pajisjet amerikane.

“Projekt-ligji im i jep fuqi administratës për të ndaluar TikTok apo çdo program kompjuterik që kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA. Gjithkush me TikTok të shkarkuar në pajisjen e tij i ka dhënë partisë (Komuniste Kineze) një mbrojtës të të gjithë informacionit të tyre personal. Është një tullumbace spiune në telefonin e tyre”, tha përfaqësuesi Majk MekKaul i cili është edhe kryetari i komitetit.

Bashkimi Amerikan i Lirive Civile tha se ishte kundër një ndalimi të Kongresit ndaj TikTok, raporton Reuters.

Memoja e Shtëpisë së Bardhë tha se brenda 90 ditëve, agjencitë duhet të trajtojnë çdo përdorim të TikTok nga shitësit e IT nëpërmjet kontratave dhe me 120 ditë agjencitë do të përfshijnë një ndalim të ri mbi TikTok në të gjitha ofertat e reja.

Të hënën, Kanadaja njoftoi për ndalimin e TikTok nga pajisjet e lëshuara nga qeveria, duke thënë se ajo paraqet një nivel “të papranueshëm” rreziku për intimitetin dhe sigurinë.

Ndalimi kanadez u lëshua “pa cituar ndonjë shqetësim të posaçëm sigurie apo duke na kontaktuar me pyetje,” tha një zëdhënës i TikTok.

Shqetësimet për TikTok-un i cili është në pronësi kineze u rritën në javët e fundit kur një tullumbace kineze hyri në hapësirën ajërore të SHBA-së.

TikTok në pronësi të ByteDance ka thënë se shqetësimet janë ushqyer nga keqinformimi dhe ka mohuar përdorimin e aplikacionit për të spiunuar amerikanët.

TikTok nuk komentoi menjëherë për memo-në e Shtëpisë së Bardhë.

Shefi federal i sigurisë së informacionit Chris DeRusha tha se “ky udhëzim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Administratës për të siguruar infrastrukturën tonë dixhitale dhe për të mbrojtur sigurinë dhe privatësinë e popullit amerikan.”

Dy institucionet më të mëdha të Bashkimit Evropian javën e kaluar ndaluan TikTok nga telefonat e personelit për arsye sigurie në internet.

/Shqip.com