ShSKUK: Për 9 muaj u kursyen 1.5 milion euro në furnizim me oksigjen

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi të premten se për 9 muaj ka kursyer mbi 1.5 milion euro në furnizim me oksigjen.
Sipas njoftimit, këto kursime janë mundësuar falë investimeve të bëra për instalim të rezervuarëve të oksigjenit, duke mundësuar furnizimin me oksigjen të lëngshëm dhe duke hequr nga përdorimi cilindrat (bombolat e oksigjenit).
“Furnizimi ka qenë më i vështirë, sidomos në spitalet e përgjithshme që nuk kanë pasur rezervuare të furnizimit të lëngshëm me oksigjen”, thuhet në komunikatën për media të ShSKUK-së.

“Në një raport/analizë të shpenzimeve të oksigjenit të lëngët për periudhën 9 mujore të vitit 2021 (janar-shtator 2021) rezulton se vetëm në spitalet e përgjithshme janë shpenzuar rreth 900 mijë L oksigjen (e shprehur në vlerë financiare rreth 400 mijë Euro)”.
Nëse nuk do të ishin instaluar cryo-tanket, ShSKUK thotë se do të shpenzonte rreth 2 milion euro për oksigjen të gazët me bombola.
“Pra vetëm për 9 muaj në spitalet e përgjithshme (pa llogaritur fare këtu QKUK) pra, janë kursyer mbi 1.5 milion Euro në furnizimet me oksigjen”.

Po ashtu, ky institucion njofton se këto kursime janë mundësuar edhe falë zgjerimit me oksigjen qendror në dhomat e pacientëve si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ashtu edhe në spitalet e përgjithshme.
“ShSKUK ka instaluar rezervuarët për furnizim me oksigjen të lëngët në të gjitha spitalet e përgjithshme, ndërkohë ka rritur kapacitetet edhe në QKUK”.
“Nga kapaciteti 20 ton që kishte në QKUK, tashmë ka 35 ton, kurse në spitalet e përgjithshëm që nuk kishte fare, tashmë ka kapacitet për furnizim me 55 ton me oksigjen të lëngshëm”.
