Lajme Kryesuesja e bordit, Agreta Gashi, thotë se po punohet për organogramin e ri. Por, deputetët e Komisionit për shëndetësi, të cilët kërkuan shkarkimin e Gashit dhe anëtarëve të tjerë të Bordit, nuk janë në dijeni.

SHSKUK-ja që nga viti 2020 funksionon pa organogram

Shërbimi Spitalor Klinik i Kosovës

Po bëhen dy vjet që kur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës po funksionon pa organogram.

Si rrjedhojë, ky institucion vazhdon të punojë pa një strukturë të qartë organizative.

E gjithë kjo po ndodh pasi organogrami i miratuar në vitin 2018 nga drejtori i atëhershëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, dhe që më pas ishte miratuar nga Bordi i atëhershëm në krye me Naser Ramadanin, ishte shpallur i jashtëligjshëm nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga kryesuesja e Bordit aktual, Agreta Gashi, por e njëjta shkurt ka thënë se do të ketë organogram të ri, por nuk ka pranuar të japë detaje se në cilën fazë është procesi.

“Po organogrami pritet të ndryshojë”, ka thënë ajo.

Redaksia ka kontaktuar sërish pas dy javësh Gashin duke i kërkuar një përgjigje, por e njëjta ka refuzuar të flasë duke e mbyllur telefonin.

Agreta Gecaj – Gashi

Shoqata e Pacientëve: Pa organogram nuk ka efikasitet

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës ka thënë për Shqip.com se është shumë e nevojshme që SHSKUK-ja të ketë një tjetër organogram.

Sipas tij, ai i kaluari ka qenë i mbingarkuar.

“Është shumë e rëndësishme që të ketë një organogram, i cili garanton funksionimin normal të SHSKUK-së. Gjithashtu, organogrami duhet ta ketë prioritet kost-efektivitetin, të mos ketë shumë pozita menaxhuese  dhe të mos ketë burokraci. Organogrami i kaluar ka qenë shumë i ngarkuar, në dis-harmoni me nevojat dhe jo kost-efektiv”, ka thënë ai.

Besim Kodra

Në mungesë të një menaxhimi efikas, në vitin 2020 janë kryer 12.500 operime dhe 500.000 vizita mjekësore më pak.

Gjithashtu, ka pasur më shumë se 4000 raste të vdekjeve (krahasuar me vitin 2019), nga to 2025 raste nuk janë të konfirmuara me COVID.

Deputetët e Komisionit për shëndetësi, të painformuar se Bordi po harton organogramin e ri

Anëtari i komisionit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se organogrami është dashur që të jetë gati që moti, por se nuk ka më shumë detaje rreth këtij procesi.

Shemsedin Dreshaj – AAK

“Asnjë organizatë e ndërlikuar nuk mund të funksionojë pa organogram. Nuk mundet të funksionojë struktura menaxhuese pa të. Ka pasur disa organograme që janë propozuar, por janë hedhur poshtë, nuk janë aprovuar. Për një të ri, nuk kam informacion – ishte dashur të kisha(informacion)”, ka theksuar Dreshaj për redaksinë.

Duke e cilësuar performancën si të dobët, deputetët e pozitës dhe opozitës nga komisioni kanë kërkuar shkarkimin e Gashit dhe anëtarëve të tjerë të Bordit.

Në lidhje me këtë kërkesë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se këtë çështje janë duke e analizuar.

“Për çështjen e Bordit, ne jemi duke e analizuar. Unë nuk mund të them se çfarë do të bëj nesër me Bordin, me drejtorin e Bordit. Kryesisht na duhet të merremi me rregullimin e statutit të SHSKUK-së”, ka thënë ai.

Çfarë është organogrami?

Organogrami është strukturë organizative.

Përdoret për të treguar marrëdhënien hierarkike mes stafit menaxhues  dhe punonjësve të tjerë, me qëllim të funksionalizimi adekuat të llogaridhënies.

Bazuar në organogram hapen dhe konkurset për punësim./Shqip.com