Shqiptari nga Kosova bëhet hero në Norvegji

Një mërgimtar nga Kosova ka marrë vëmendjen e shumë mediave në Norvegji.
Arton Tafolli ka arritur ta shpëtoj një të moshuar, e cila kishte ngecur brenda në makinë, pas aksidentit brenda një parkingu.
Artoni që është menaxher operativ i Aimo Park Bergen, ndodhej në zyrën brenda parkingut, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi përplasja.

“Unë dhe një koleg dolëm jashtë. Nga airbagu dilte tym dhe kisha frikë se mos fillonte të digjej. Fokusi ishte menjëherë në dhënien e ndihmës gruas për të dalë nga vetura.
Ne nuk mundëm ta nxirrnim atë në fillim dhe na u desh ta tërhiqnim makinën e saj mbrapsht me duar për të arritur. Ishte e vështirë, por thjesht duhej ta bënim”, ka thënë Tafolli për median norvegjeze Bergensaviesen.
Ndërkohë, policia ka konfiskuar patentshoferin e gruas rreth të 80-ve, ndaj të cilës ekziston dyshimi se ajo mund të ketë përdorur gabim gazin më vend të frenimit.
/Shqip.com