Lajme

Shqiptarët dhe serbët kritikojnë Kurtin dhe Vuçiqin

Familjet e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit nga të dyja komunitetet; shqiptarë dhe serb, kanë kritikuar drejtuesit e Kosovës dhe Serbisë për mosmarrëveshjet sa i përket kësaj kategorie.

Në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur në Prishtinë, familjarët kanë shprehur mosbesim se në takimin e 2 majit do të mund të ketë zhvillime pozitive sa i përket çështjes së të zhdukurve, duke akuzuar politikanët e dyja vendeve për politizim të kësaj teme.

Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë ka kërkuar nga Kryqi i Kuq që të ndërmjetësoj bisedimet për këtë temë.

“Nga 13 pikat e nënshkruara, asnjëra nuk është zbatuar, konkretisht nuk kemi asgjë dhe nuk pres që Zoti e di çfarë, por pres që politika të mos ndërhyjë aty ku nuk i takon. Ka dy vite që grupet e punës nuk janë takuar dhe tani nuk pres ndonjë gjë të mirë”, ka thënë Çerkinaj.

Ndërkaq, Negovan Mavriq, zëvendësdrejtor i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë, tha se personat e zhdukur nuk kanë as fe e as komb.

“Problemi i personave të zhdukur duhet të përjashtohet nga politika dhe të bëhen përpjekje që të paktën familjet, të marrin eshtrat, sepse nëse vazhdon kështu, shumë familje nuk do të jetojnë për të parë, pasi kemi mundësinë që prindërit të ju vdesin dhe ata nuk do të mund ti varrosnin më të dashurit e tyre”, tha ai.

Luiza Marinjo, antropologe mjeko-ligjore para misionit të EULEX-it, tha se çështja e mbetjeve të paidentifikuara në morg është shumë komplekse.

“Kjo çështje ka disa vite që nuk është zgjidhur dhe e di që familjarëve u duket shumë. Ne dhe ekspertët e EULEX-it në institutin tonë po punojmë së bashku me bashkëpunëtorët tanë vendorë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të japim disa përgjigje, është një proces i vazhdueshëm dhe do të duhet shumë kohë për ta finalizuar atë proces shqyrtimi. Vitin e kaluar kemi zgjidhur disa raste dhe kemi dorëzuar disa eshtra familjeve dhe shpresojmë të kemi më shumë identifikime. Nuk mund të themi se do të identifikohen qindra mbetje sepse ka shumë sfida, çfarë mund dhe nuk mund të arrihet përmes analizës së ADN-së”, tha ajo.

Në tryezën e rrumbullakët me titull “Fqinjë, a je mirë?”, organizuar nga Iniciativat Qytetare nga Beogradi dhe Integra nga Prishtina në kuadër të projektit “Forcimi i kërkesave gjithëpërfshirëse të viktimave, transformimi i narrativave”, i cili mbështetet nga BE-ja, morën pjesë përfaqësues të Zvicrës, Ambasadës Britanike, si dhe misionit të EULEX-it.

/Shqip.com