Kulturë

“Shqipja – gjuhë evropiane”

Naim Berisha, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës
Naim Berisha, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, sot më datë 21.2.2023, Dega e Gjuhësisë e Institutit Albanologjik, në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Wisdom”, kanë organizuar tryezën shkencore “Shqipja – gjuhë evropiane”.

Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë studiues nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, Kolegji Universitar “Wisdom”, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Shoqata “Dashamirët e Shqipes” etj.

Në fjalën e hapjes së tryezës, Naim Berisha, nga Dega e Gjuhësisë në Institutin Albanologjik, ka thënë se: “përveç rëndësisë shkencore në kuptimin e gjerë të fjalës, ky aktivitet i sotëm është domethënës, sepse na mundëson të takohemi me njëri-tjetrin, të diskutojmë për çështje që janë të interesit të përbashkët, ta ruajmë e ta mbajmë të gjallë bashkëpunimin me të gjitha qendrat albanologjike”.  

Aktivitetet shkencore në të cilat trajtohen aspekte të studimit të shqipes përherë zgjojnë vëmendje dhe interesim të veçantë.

Në këtë kontekst, kontributet për rëndësinë dhe raportin e shqipes me gjuhët tjera evropiane e botërore në vazhdimësi kanë paraqitur një ndërmarrje me interes në aktivitetet shkencore të Institutit Albanologjik. Që në fillimet e punës së këtij institucioni më 1953, fokusi i kërkimor-shkencor ishte te fjalësi i të folmeve shqipe në ish-Jugosllavi, si një vlerë e veçantë e shumëgjuhësisë në atë kohë”, ka thënë Naim Berisha për Shqip.com

Sipas tij, në Degën e Gjuhësisë nuk ka sektor të veçantë që merret me studime të kësaj natyre. “Në revistat shkencore të Institutit dhe në aktivitetet tona kanë zënë vend kontribute të shumta që lidhen me shumëgjuhësinë dhe raportin e shqipes me gjuhët evropiane dhe botërore”, ka thënë Berisha.

Tryeza e sotme shkencore dëshmon angazhimin dhe interesimin për këtë tematikë, por është edhe veprimtari e rregullt e kësaj Dege për shënimin e ngjarjeve të caktuara me interes të veçantë.

Më 21 shkurt në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e përcaktuar nga UNESCO. Në këtë ditë promovohet diversiteti gjuhësor global dhe edukimi shumëgjuhësh, i vlerësuar si çelës për ndërtimin dhe ruajtjen e shoqërive integruese, të hapura, të larmishme dhe pjesëmarrëse në kulturat e njëra-tjetrës. Data 21 shkurt si Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve Amtare u vendos në vitin 1999 dhe është një simbol i rëndësishëm i respektit dhe vlerësimit të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ajo po ashtu thekson rolin e gjuhëve në mirëmbajtjen e identitetit kulturor, traditës dhe arritjeve shoqërore”, ka thënë në fund Berisha.

/Shqip.com