Shpallet fajtor personi që kanosi Jasharajn, ankohet përfaqësuesi ligjor i tij

Musli Rexhepi i cili kanosi kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharajn, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Avokati i Jasharajt, Xhevdet Smakiqi tha për Shqip.com se vendimi i Gjykatës është i drejtë.
Smakiqi tregoi se për dëmet e shkaktuara ndaj klientit të tij, ky i fundit nuk ka kërkuar dëmshpërblim.
“Unë jam përfaqësues i palës së dëmtuar e në këtë rast i Rrahman Jasharajt dhe Gjykata me të drejtë e ka shpallur fajtorë për arsyeje se i njëjti ka tentuar ta sulmoj dhe e ka kërcënuar kreun e SBASHK-ut ndërkohë që Rrahman Jasharajt i ka shkaktuar edhe dëme , por meqenëse Rrahman Jashari është njëri shumë humanist dhe i butë, nuk ka kërku shpërblim dëmi ose kërkesë pasurimi juridik”, tha Smakiqi.
Rexhepit iu është shpallur një vrenjtje gjyqësore për shkak të moshës së shtyer, ndërsa avokati Smakiqi tha se kjo vepër penale do të ketë efekt që të tjerët të mospengojnë punën e SBASHK-ut.
“Kur e kemi vërtetuar se i njëjti ka kryer vepër penale dhe është mirë shumë që është kryer kjo vepër penale në mënyrë që të parandalojë veprat tjera penale. Ai është shpallur fajtor dhe iu është shqiptuar një vërejtje gjyqësore për shkak të moshës së shtyrë por e rëndësishme është që me dënimin e tij dhe shpalljen e tij fajtor do të ketë efekt të përgjegjshëm ndaj të tjerëve që të mos pengojnë SBASHK-un të ushtrojë të drejtën e tyre ligjore për greva”.
Kurse, përfaqësuesi ligjor i Rexhepit, Tomë Gashi ka thënë se vendimi i Gjykatës nuk është i drejtë dhe ka paralajmëruar se do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Greva qe i la 320,000 nxënës pa mësim dhe i humben mbi 3milion orë mësimi i dëshpëroi 640,000 prindër që se bashku me nxënës bëjnë rreth 1milion qytetar te Republikës sonë përfundoi me një vërejtje gjyqësore. Kështu shpenzon sistemi ynë juridik taksat e qytetareve te Republikës tone Loja ende nuk ka përfunduar. Shihemi në Gjykatë të Apelit”, shkroi Gashi në Facebook.
Krahas kësaj, avokati Smakiqi njoftoi se është përfaqësues ligjor i të gjitha lëndëve të SBASHK-ut, duke përfshirë këtu edhe padinë ndaj ministrit të Ministrisë së Financave, Hekuran Muratit.
“Unë jam përfaqësues në të gjitha lëndët që i ka dorëzuar SBASHK-u në Gjykatë, ato janë dorëzu përpara se unë me e marrë përfaqësinë e SBASHK-ut, jemi duke i pritë veprimet e prokurorisë dhe ta përfaqësoj SBASHK-un”.
Kujtojmë se pas një debati mes mësimdhënëseve dhe Jasharajt është sulmuar ky i fundit.
Musli Rexhepi që ishte i pranishëm ka tentuar ta sulmojë Jasharajn.
Lexo edhe:
Tentim sulmi ndaj Rrahman Jasharaj
Jasharaj, ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij gjatë një vizite në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë me datë 05.09.2022.
/Shqip.com