Shoqata Sindikale e QKUK-së mbledh Këshillin Drejtues, shkak lista e pagave

Shoqata Sindikale e QKUK-së e ka shprehur pakënaqësinë lidhur me daljen e listave të pagave për muajin prill, duke thirrur mbledhje urgjente të Këshillit Drejtues të kësaj shoqate, takim ky që do të mbahet të hënën.
“Me daljen e listës së pagave me datë: 01.03.2023 nuk janë përfshirë shtesat në pagë (shujta,rrezikshmëria në punë,stazhi,kujdestaritë për infermier dhe shërbime teknike, po ashtu ulja e koeficientit për administratën-hekja e tyre nga shërbyes të sistemit publik) me ç’rast shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me situatën e krijuar tek punonjësit shëndetësorë, dhe në vazhdën e kësaj thërrasim mbledhjen urgjente të Këshillit Drejtues të SH.S. të QKUK për ditën e hënë në orën 8 e 15!”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.
Ata kanë thënë se varet nga qëndrimi i KD-së se çfarë do të bëjnë, teksa thanë se gjendja e punëtorëve të shëndetësisë është alarmante.
“Varësisht nga qëndrimet e KD do të vendosim për hapat e mëtejmë sindikalë.
Rjedhimisht,me anë të kësaj komunikate paralajmërojmë se gjendja e punonjësve shëndetësorë është alarmante dhe në ditët në vijim do të merren hapa radikal sindikal konform gjendjes së krijuar”, përfundon komunikata.
Përndryshe, Ministria e Financave (MF) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë njoftuar të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e dyta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.
/Shqip.com