Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi”

Burim Kelemendi nuk do ta ushtrojë pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë “Pastrimi” nga dita e sotme.
Përmes një postimi për media, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Bordi i drejtorëve të kësaj kompanie ka konstatuar se kryeshefi nuk i ka realizuar objektivat e kompanisë.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme, Bordi i Drejtorëve të KRM “PASTRIMI”, ka konstatuar se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit”, shkroi Rama.
Sipas, Ramës është vërtetuar që ka pasur devijime dhe nepotizëm në këtë kompani.
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”.
Tutje, Rama tha se kjo është konstatuar edhe nga gjetjet e Zyrës së Auditorit të jashtëm./Shqip.com
