Lajme

Shkarkohet kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Hajdari: U emërua në mënyrë të paligjshme

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, është shkarkuar nga pozita e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Tregut, Lulzim Syla, përcjell Shqip.com.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në propozimin e saj ka deklaruar se emërimi i tij në këtë pozitë është bërë në mënyrë të paligjshme.

Hajdari deklaroi se në bazë të Ligjit të ri për zyrtarët publik, nuk lejohet që i njëjti të zgjedhet në të njëjtën pozitë pas përfundimit të mandatit të dytë.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut.

“Syla është emëruar me vendim të datës 25 qershor 2014 për një mandat 3-vjeçar. Gati një vit pas përfundimit  të mandatit të parë është emëruar për një mandat të dytë, i është vazhduar mandati për 3 vjet me vendimin e datës 23 mars 2018 duke iu referuar Ligjit për shërbim civil të Republikës së Kosovës.

Në prag të përfundimtit të mandatit të dytë, i është vazhduar mandati për 4 vite me vendimin e datës 26 shkurt 2021. Ky vendim është nxjerrë pasi ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publik”, tha Hajdari në mbledhjen e Qeverisë.

I kontaktuar nga Shqip.com, Lulzim Syla tha se nuk është i informuar paraprakisht për këtë vendim, teksa shton edhe ditën e sotme është duke i kryer punët të cilat i takojnë.

Tutje, Syla u shpreh se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore, në momentin kur e merr konfirmimin për shkarkimin e tij.

“Nuk jam në ngjarje, është ashtu siç e keni parë në media, nuk më ka ardhur ende asnjë konfirmim. Jo unë nuk kam qenë në dijeni se kam shkelur ligjin, edhe sot kam dalë me i kry punimet që më takojnë.

Po normal që do ti ndjekë të drejtat e mia ligjore, në bazë të ligjit do të shkojë normal, sepse me u shkarku një kryeinspektor, as nuk e di arsyen”,, tha Syla për Shqip.com.

Ndryshe, në mbledhjen e së mërkurës, Qeveria ka miratuar edhe disa projektligje të cilat lidhen me turizmin, por edhe për market tregtare dhe projektligjin për mbrojtjen e sekreteve tregtare.

Por, të mërkurën është aprovuar edhe Projektligji për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike./SHQIP.com