Shkarkohet drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore

Fatmir Plakiqi është shkarkuar nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Ky vendim erdhi dy javë pas vendimit për suspendim të përkohshëm nga Ministria e Shëndetësisë.
Vendimi për shkarkimin e Plakiqit, siç raporton KOHA, është marrë më 5 gusht.
Kjo media pretendon se ka siguruar letrën e Bordit drejtuar Plakiqit dhe shkruan se në letër renditen keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet në këtë fond.
Theksojmë se zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku përmes një konferencë për media kishte njoftuar për suspendimin e Plakiqit.
“Sot mbajmë mbledhjen e bordit të sigurimeve shëndetësore të emëruar nga Qeveria e Kosovës. U zgjodh kryesuesja dhe zëvendëskryesuesja. Në këtë takim me shumicë votash u vendos largimi i përkohshëm i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi”, tha ajo.
Ajo shtoi se në vend të tij u emërua Bujar Kaqurri.
Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Plakiqi i kishte mohuar akuzat për keqpërdorim të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Plakiqi i ka quajtur spekulime hulumtimin e bërë nga Koha në lidhje me keqpërdorimet në këtë Fond.
Ai ishte emëruar drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore në kohën kur Uran Ismaili ishte ministër i MSH-së.
Po ashtu, Plakiqi për pesë vite ka qenë drejtor i Thesarit dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore.
Para saj ai ka shërbyer edhe si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës dhe drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës./Shqip.com