Lajme

Shërbimi ushtarak i obliguar – Qeveria e ka dëshirën, por s’i ka paratë

Forca e Sigurisë së Kosovës

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, të cilin kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do ta jetësojë gjatë qeverisjes së tij, konsiderohet i nevojshëm për Kosovën, megjithatë mbetet plan dëshiror pasi realizimi në këtë fazë është i pamundur.

Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë, të cilët thonë se është “kafshatë e madhe” që në të njëjtën kohë të bëhet tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe po ashtu të fillohet me procedurat për obligimin ushtarak.

Tashmë kanë kaluar gati tri vjet që kur institucionet e vendit bënë hapin përpara me vendimin për të filluar procesin e transformimit të FSK-së nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë ushtarake mbrojtëse.

Sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, për shkak të këtij kalimi Kosova është në një fazë të ndjeshme pasi “një proces i tillë ka kosto të lartë buxhetore”.

Shto këtu edhe shërbimin ushtarak dhe “të dyja njëkohësisht janë të papërballueshme”.

“Por, pas një kohë kur përfundon ky tranzicion dhe integrimi në NATO, është mirë që të bëhen plane të fizibilitetit, hulumtimit dhe planifikimit se sa është i kushtueshëm obligimi ushtarak si projekt”, deklaron Ibishi për Shqip.com.

Ibishi e pranon se Kosova shërbimin ushtarak e ka nevojë, por aktualisht s’e ka mundësi.

Sipas tij, kur merren parasysh zhvillimet që ndërlidhen me kërcënimet që vijnë nga shtetet armike, një vendim të tillë nga Ministria e Mbrojtjes do ta mirëpriste. Por, shton se duhet një planifikim më i hollësishëm.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

I një mendje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, i cili obligimin ushtarak, për momentin, e konsideron “luks”.

Kosova duhet të analizojë mirë situatën përpara se të marrë një vendim të tillë, thotë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, thotë se duhet të konsultohen ekspertët dhe të shihet se në cilën fazë të avancimit është FSK-ja.

“Është vendim i mirë dhe edukues, por kam vetëm një problem që ka të bëjë me buxhetin e Kosovës, i cili është i pamjaftueshëm”.

Rrustem Berisha, ish-ministër i Mbrojtjes

Edhe Drizan Shala, po ashtu ekspert i sigurisë, thotë se Kosova nuk e ka të paraparë në planin e saj të tranzicionit shërbimin ushtarak të detyruar, i cili sipas tij, ka implikime buxhetore.

Por, në aspektin e ndryshimeve të forcave gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajon, shton se Kosova duhet që të rrisë kapacitetet ekzistuese.

“Përpos linjës së rregullt buxhetore 100 milionë euro duhet të ketë edhe linjë të veçantë për standardizimin e forcës me ushtritë anëtare të NATO-s”, pohon Shala.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë

Premtimin, në formë dëshire, kryeministri Albin Kurti, e kishte bërë më 3 shkurt para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke folur për aspektet e qeverisjes së vendit gjatë mandatit të tij.

Në atë fjalim, pati thënë se përgatitjet për shërbimin ushtarak të detyrueshëm në Kosovë do të nisin.

Kurti pati treguar pothuajse gjithçka rreth planit për shërbimin ushtarak, përveç një gjëje, asaj kryesore – sa do të kushtojë dhe ku do t’i marrin paratë.

“Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje 3 mujore, i cili do t’i ndihmojë Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, pati deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvend

Dëshirën për shërbim ushtarak të përmendur muaj më parë nga Kurti, e riaktualizoji ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të martën e 2 nëntorit, derisa raportonte në Komisionin për Punë të Jashtme.

Ai deklaroi se “Kosova është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të parë mundësitë se në çfarë fazash mund të bëhet obligimi ushtarak për qytetarët e vendit në të ardhmen”.

Megjithatë, edhe Mehaj, njëjtë si Kurti, nuk përmendi barrën buxhetore të kësaj ndërmarrje brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës./SHQIP.com