Shërbimi Korrektues pezullon nga puna dy zyrtarë për “shkelje të rëndë” në rastin e Astrit Deharit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar nga puna, Burim Buleshkaj, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë si dhe Destan Zogaj, zyrtar korrektues, ish-ushtrues detyre i Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
Sipas ShKK, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet duke ju referuar rastit të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës”.
Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendos pezullimin e nëpunësve civilë, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në komunikatë.

Ky vendim, vjen një javë pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media kishte nrge dyshime për keqpërdorim të provave nga SHKK-ja dhe kryeinspektori i MD-së në rastin Dehari.
Ajo tha se ka kërkuar hetim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës se nëse zyrtarët e këtij institucioni kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Haxhiu kishte deklaruar se marrja dhe posedimi i inçizimit të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës të Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarët e komisionit tjetër përbënë shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave.
Në nëntor të vitit 2016, ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari, në rrethana të panjohura kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./Shqip.com