Lajme

Shënohet Dita Botërore e Mbulesës, si po diskriminohen vajzat dhe gratë në Kosovë?

Dita Botërore e Mbulesës
Dita Botërore e Mbulesës

Në vendin tonë vajzat dhe gratë që bartin shaminë, përballen me probleme sidomos në arsimim dhe punësim, e rastet të kësaj natyre nuk kanë qenë të rralla.

Udhëzimi Administrativ 06/2014, që përcakton kodin e mirësjelljes dhe masave disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, ndalon bartjen e shamisë.

Është pikërisht pika 1.13 e nenit 3 të këtij Udhëzimi Administrativ, që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.

Për ndryshimin e këtij dokumenti ka pasur kërkesa të vazhdueshme e madje pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin dhënë disa shenja, por se gjendja nuk ndryshoi.

Në gushtin e vitit të kaluar, u bë edhe një fushatë për lejimin e shamive në shkolla, por ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk ndryshoi udhëzimin.

“Është përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim se e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, kishte thënë Nagavci.

Mirëpo, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ndryshimin e këtij vendimi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që pragu për vendosjen e shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare duke thënë se ato nën këtë moshë nuk duhet të lejohen.

E krahas kësaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte thënë se me lejimin e bartjes së shamisë në shkolla do të thellohet edhe më tej diskriminimi, dhe shtypja e vajzave dhe grave.

Mirëpo, mosndryshimi i këtij udhëzimi, vazhdon të sjellë probleme për vajzat dhe gratë që kanë vendosur të mbulohen me shami.

Raste të tilla ka parë edhe studentja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ela Çerkini.

“Vet fakti se çdo ditë shumica femrave ndjehen të diskriminuara në shoqërinë tonë për shkak të shkeljeve që ndodhin, është e mjaftueshme të dihet se femrat që bartin mbulesën janë të paragjykuara në shkolla, punë dhe rrugë. Ka raste prej më të ndryshmeve ku iu është bërë e padrejtë vajzave vetëm për faktin se janë të mbuluara”, tregon për Shqip.com, Çerkini.

Nga Këshilli Studentor në Fakultetin e Filologjisë në UP, kërkojnë që një e drejtë e tillë t’u mundësohet vajzave, pasi kjo po ndikon që të njëjtat të mos mund të inkuadrohen si duhet në shoqëri.

“Çdo vajzë duhet të këtë të drejtën të marr vendime që asaj i duken të duhura për veten. Mbulesa nuk duhet të ndikojë në mosinkuadrimin e vajzave në shoqëri e sidomos në arsim, andaj ne duhet të krijojmë një hapësirë ku ato ndihen të përfshira. Në disa raste ato keqkuptohen nga rrethi për shkak të paraqitjes së tyre, por mendoj që një pjesë tjetër nuk e sheh si pengesë për t’i inkuadruar në fusha të caktuara”, tha për mediumin Blerta Salihu nga ky këshill.

Salihu mendon se shoqëria duhet të jetë më e pranueshme dhe të tregoj respekt ndaj çdo religjioni.

“Shoqëria duhet të jetë më e pranueshme dhe të tregojë respekt ndaj çdo religjioni përfshirë edhe mbulesën si simbol, dhe vendim që vajzat e marrim për vetveten e tyre”.

Vajzat/gratë me mbulesë trajtohen ndryshe nga shoqëria

Valbone Bytyqi, e cila është ambasadore e kampanjës World Hijab Day, ka thënë për Shqip.com se përmes saj, po synojnë që të sensibilizojnë opinionin mbi të drejtën e shamisë.

“Qëllimi i kampanjës World Hijab Day është ngritja e vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit mbi të drejtën e mbulesës, një e drejtë e garantuar edhe nga Konventa Evropiane Mbi të Drejtat e Njeriut, por edhe të gjitha konventat ndërkombëtare në fuqi, por edhe legjislacioni më i lartë i vendit tonë, Kushtetuta e Kosovës”, tha Bytyqi.

Valbone Bytyqi – Ambasadore për Kosovë e kampanjes World Hijab Day.

Kjo kampanje fton vajzat dhe gratë nga besimet dhe etnicitetet e ndryshme që të provojnë shaminë vetëm për një ditë në mënyrë që të interpretohet sa do pak ajo që ndjenjë çdo ditë gratë myslimane.

Por, nga erdhi kjo ide?

“Është Nazma Khan organizatorja dhe themeluesja e kësaj ngjarje të madhe, e cila si një vajzë emigrante në SHBA dhe si një praktikuese e fesë në veçanti, hasi në shumë bullizëm për shkak të mbulesës së saj. E indinjuar nga gjendja në të cilën haste çdo dite gjatë rrugës për në shkollë, por edhe brenda ambientit të shkollës, vendosi të ngriste zërin dhe kështu postoi një thirrje në rrjetet e saja sociale duke ftuar që të gjitha gratë e botës nga besimet dhe etnitetet të ndryshme të vendosnin shaminë për një ditë, në mënyrë që sado pak të ndienin së çfarë ndjejnë gratë myslimane çdo ditë siç edhe tha “Unë besoj plotësisht se vetëm kur ne ecim në këpucët e të tjerëve, ne mund t’i kuptojmë dhe vlerësojmë vërtet përpjekjet dhe vlerat e tyre”, thotë tutje Bytyqi.

Vendosja e shamisë për vetëm një ditë, është praktikuar edhe nga shumë vajza në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ditë më parë arritëm të realizojmë projektin e parë për këtë vit që kishte të bënte me një eksperiment social me studentet e Universitetit te Prishtinës, se sa njihet Dita Botërore e Mbulesës tek ta, si trajtohen dhe sa përkrahen studentet me mbulesë nga kolegët dhe profesorët brenda ambienteve të Universitetit të Prishtinës. Në këtë projekt studentët meshkuj kanë vendosë një shallë rreth qafës dhe një broshë me mbishkrimin ‘Unë e mbështesë të drejtën e Mbulesës’, ndërsa studentet vajza e kanë vendosë shaminë për disa çaste mbi kokat e tyre në shenjë mbështetjeje ndaj Ditës Botërore të Mbulesës”.

Kësaj ftese iu përgjigjë edhe studentja Ela Çerkini.

“Si fëmijë i vogël, gjithmonë kam pas kureshtjen se pse gratë dhe vajzat mbulohen, dhe me është dukur e çuditshme se pse disa mbulohen kurse të tjerat jo. Me kalimin e kohës prindërit më kanë dhënë më shumë informata rreth fesë islame dhe e kemi praktikuar së bashku. Thjeshtë, vlerat që një femër ka kur ajo vendos mbulesën gjithmonë me kanë shtyrë që ta provojë, por për çudi asnjëherë se kam provuar. Jam shumë e lumtur që isha pjesë e këtij eksperimenti social dhe shpresoj që sa më shumë të zhvillohen aktivitete si ky”, tha Çerkini.

Valbone Bytyqi thotë se gruaja në përgjithësi në Kosovë, ballafaqohet çdo ditë me sfida si në aspektin e arsimimit ashtu edhe në atë të punësimit në përgjithësi, por kur një femër është me mbulesë sfidat në këto fusha, dyfishohen apo trefishohen.

/Shqip.com