Art Jetese

Shëndeti mental në arsim- promovimi, kultivimi dhe sfidat

Me siguri shumica nga ne janë ballafaquar me terma të ngjajshme si shëndeti mendor, shëndeti mental, mirëqenia psikologjike apo mentale, mbështetja psikologjike, etj.

Për të gjitha këto sa do pak mund të kemi një ide se me çfarë kanë të bëjnë, mirëpo sa jemi të informuar se çfarë në të vërtetë do të thotë shëndeti mental?

Shëndeti mental paraqet mirëqenien tonë psikologjike, që përfshin ndjenjat, mendimet, dhe sjelljet tona të cilat bashkëveprojnë mes veti dhe ndikojnë tek secili nga ne në mënyrë të veçantë. Duke u kujdesur për këto elemente që na karakterizojnë neve dhe jetën tonë të përditshme, ne do të arrijmë që të jemi më të kënaqur me veten dhe jetën tonë. Në qoftë se paralelizojmë shëndetin mental me shëndetin fizik do të shohim se sa të rëndësishme janë të dyja për ne.

Gjurmimi kah rrënja e problemit

Shëndeti fizik është mirëqenia e trupit dhe organizmit tonë. Kur bëhet fjalë për shëndetin fizik ne bëjmë analizat e gjakut për të zbuluar në qoftë se kemi ndonjë problem shëndetësor, kur sëmuremi bëjmë kontrollat mjekësore për të zbuluar burimin e asaj që na ka shkaktuar sëmundjen, me qëllim që të gjejmë edhe mënyrën se si të shërohemi. E njëjta duhet të vlejë edhe për shëndetin mental.

Kur ndjehemi të mërzitur dhe në një rrugë pa dalje, njëlloj duhet që të bëjmë analizat dhe të gjejmë gjenezën e asaj që neve na le në rrugë pa dalje, e më pas të ndërmarrim masat e duhura për të tejkaluar këtë. Kush më mirë se një psikolog, psikoterapist, apo edhe një mik me të cilin jemi në gjendje të kemi biseda konstruktive, mund të na ndihmojë që ne të kujdesemi për shëndetin tonë mental?!

Shëndeti mental është pjesë e pandashme e jetës sonë dhe është i pranishëm në çdo mjedis në të cilin mund të ndodhemi ne, qoftë individualisht ose në grup, në mjedisin familjar, me shoqëri, komunitet, shkollë, vend pune, etj. Çdo individ shëndetin mental e përjeton duke u bazuar në përvojën personale jetësore. Për dikë shëndeti mental është prioritet, për dikë është diçka sekundare, ndërsa dikush ndoshta as nuk është i vetëdijshëm për prezencën dhe rëndësinë e tij.

Vetëdija për shëndetin mental duhet të jetë prezente në jetën e secilit person dhe në çdo fushë, për këtë arsye edhe promovimi i tij duhet të shihet si prioritet në çdo mjedis ku është i përfshirë njeriu. Për ta arritur këtë mund të organizohen aktivitete, prezantime, reklamime të ndryshme në lidhje me atë se çfarë është shëndeti mental, si të mirëmbahet i njëjti, kush punon në këtë fushë, çfarë është psikologu, psikoterapeuti, psikiatri, neurologu, cilët janë ekspertizat e tyre, etj.

Sqarimi i të gjitha këtyre do të na jep kuptim për shëndetin mental, dhe se kush i kryen shërbimet e kësaj fushe, dhe në të njëjtën kohë edhe do të normalizohet përmendja e tyre dhe kërkimi i ndihmës profesionale.

Në qoftë se të rriturit do arrijnë që të kenë mirëkuptim për çështjen e shëndetit mental, ata të njëjtën do të arrijnë që ta përcjellin tek fëmijët e tyre dhe kështu edhe vështirësitë do të fillojnë që të zbehen. Unë besoj fuqishëm se e ardhmja jonë janë fëmijët dhe gjeneratat e reja, prandaj edhe ndryshimi i qasjes ndaj mirëmbajtjes të shëndetit mental dhe ndaj psikologut mund të fillojë nga ata me qëllim që të fitojë një kahje pozitive përgjithmonë.

Pedagog në vend të psikolog?

Si një institucion edukativo-arsimor dhe për socializim, vendi më i mirë se ku mund të kemi kontakt me fëmijët dhe të kemi ndikim tek ata është shkolla.

Promovimi dhe kultivimi i shëndetit mental në shkolla, apo në procesin edukativo-arsimor, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjithë personat e kyçur në këtë proces, si: nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët tjerë në shkollë.

Këtë e kam vërejtur personalisht fillimisht nga përvoja ime si nxënëse, e më pas si një psikologe shkolle. Në qoftë se nisem nga koha kur unë kam qenë nxënëse, mund të them se ka qenë një periudhë kur nuk është biseduar haptazi për shëndetin mental ose për punën e psikologut.

Personalisht as unë nuk e kam njohur psikologun/psikologen e shkollës sime dhe nuk e di se a ka pasur psikolog në shkollë. Jam e sigurtë se po të kishim mundësi të bashkëpunojmë me psikologun ne si nxënës do të mund të përfitonim shumë përvoja në aspekt individual, shoqëror, por edhe profesional.

Fjala shëndet mental dhe psikolog do të na ishin të njohura dhe do të na dukeshin shumë normale. Kur do të vinte koha që të vendosim drejtimet tona për studime, nuk do të hezitonim të zgjedhnim drejtimin e psikologjisë vetëm pse askush nuk do të kishte dashur të shkojë tek një psikolog, për të mos u etiketuar si “i çmendur”. Të gjitha këto do të ishin shumë më lehtë të kapërcyeshme po që se nga një moshë e vogël do të kishim kuptim për shëndetin mental dhe punën e punonjësve të kësaj fushe.

Për fat të keq, sot nuk mund të themi se ka ndonjë ndryshim të dukshëm në lidhje me pranimin e psikologëve ose temave që kanë të bëjnë me shëndetin mental.

Në shumë shkolla ndodh që të mos ketë të punësuar psikolog, por vetëm pedagog, ose anasjelltas, pasi që supozohet se pedagogu dhe psikologu si shërbim pedagogjiko-psikologjik mund të kryejnë punën e njëjtë, dhe veprohet në atë mënyrë që ata të kompenzojnë njëri-tjetrin. Kjo është e gabueshme sepse natyra e punës së të dyjave është krejtësisht e ndryshme dhe asnjëri nuk mund ta zëvendësojë tjetrin, ndërsa nevoja për të dyja rolet në shkollë është e domosdoshme.

Vështirësitë e ndërsjella dhe të brendshme Pse promovimi i shëndetit mental dhe ngritja e vetëdijes për të është e rëndësishme në shkolla dhe gjatë procesit edukativo-arsimor? Në jetë secili ballafaqohet me vështirësi të shumëllojshme. Të qenit njeri do të thotë që varësisht prej situatës në të cilën ndodhemi, të kemi nevoja të ndryshme, të përjetojmë emocione të ndryshme, dhe të njëjtat t’i manifestojmë në mënyrat tona të veçanta.

Në qoftë se pak më shumë do të thelloheshim në atë se çfarë ndodh nëpër shkolla, të gjithë jemi të vetëdijshëm se aty ka nxënës të moshave të ndryshme, të karaktereve të ndryshme, të familjeve të ndryshme, të statuseve të ndryshme sociale, secili i pajisur me tregimet e veta, me bagazhin e vetë jetësor prej ku edhe burojnë shumë mendime, qëndrime, ndjenja, sjellje dhe reflektime të tyre.

Natyra e vështirësive që paraqiten në shkolla dhe gjatë procesit edukativo-arsimor mund të jenë të shumëllojshme. Ata mund të kenë karakter interpersonal, si p.sh. nxënësit të kenë vështirësi me njëri-tjetrin, me mësimdhënësit ose me persona të tjerë brenda ose jashtë shkollës dhe të hasin vështirësi në komunikim, të kenë keqkuptime të cilat më pas mund të çojnë deri në zmadhim të situatave, zënka, keqtrajtime, etj; por gjithashtu ndodh që të kenë edhe vështirësi intrapersonale, pra të ndodh diçka në botën e brendshme të tyre dhe të njëjtën të mos munden ta kuptojnë, ta shprehin, ose ta zgjidhin.

Këto vështirësi mund të ndikojnë në mësimet e nxënësve, në suksesin e tyre në shkollë, mbyllje në vete, ose edhe e kundërta, të reflektohen tek rrethi duke i bërë të tjerët pre e problemeve të veta personale.

Tek psikologu shkojnë “problematikët”

Duke marr parasysh se sa të ndryshëm janë nxënësit mes veti, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje mënyrës se si duhet të qasemi me ata. Çdo përjetim i nxënësve ndikon në sjelljen e tyre, në qoftë se ne mundohemi dhe tregojmë gatshmëri që t’i kuptojmë ata edhe ata do të jenë më të hapur që të ndajnë diçka në lidhje me veten e tyre.

Për këtë fillimisht ne si të rritur e më pas si të punësuar në shkolla, jo vetëm si psikolog të shkollës, por edhe si mësimdhënës, udhëheqës, etj, duhet të kemi njohuri bazike në lidhje me atë se çfarë është shëndeti mental dhe se si mund të kujdesemi për të. Kur ne për vete do të jemi të mobilizuar me njohuritë e nevojshme, atëherë edhe për nxënësit do të kemi një qasje më tolerante dhe më me mirëkuptim.

Në këtë mënyrë edhe nxënësit do t’i mësojmë që të njohin veten, të kuptojnë rëndësinë e shëndetit të tyre mental, të kuptojnë njëri-tjetrin, dhe të vlerësojnë më mirë situatat me të cilat do të ballafaqohen. Roli i psikologut të shkollës dhe i mësimdhënësve është shumë i rëndësishëm si në vëzhgimin nxënësve ashtu edhe për reagimin ndaj gjendjes së tyre.

Duke qenë ne proaktiv, nxënësit do të jenë në gjendje të kuptojnë se dikush angazhohet për ata, mundohet t’i dëgjojë dhe don që t’i përkrah ata me qëllim që vështirësia të mos thellohet, por të përmirësohet. Shumë sjellje dhe vështirësi të nxënësve në shkollë mund të kenë zgjidhje më të lehtë po që se shkolla së bashku me prindërit bashkëpunon për përkrahjen e tyre.

Për këtë arsye edhe duhet që të nxitet përfshirja e prindërve dhe transparenca e dyanshme me ata. Kur ne do të bashkojmë forcat për të përmirësuar një dukuri, jam e sigurtë se për një kohë të shkurtë do të arrijë të realizohet ndryshimi pozitiv. Një çështje tjetër që e shoh si sfiduese në punën e psikologëve në shkollë është pranimi i psikologut nga ana nxënësve por edhe nga ana e të rriturve. Duke u nisur nga stigmatizimi se deri tek psikologu udhëzohen nxënësit “problematik” atëherë kur shkaktojnë ndonjë problem, tek nxënësit paraqitet një aversion ndaj psikologut.

Prapavija e kësaj dukurie bazohet edhe në atë se kur nxënësit shfaqin ndonjë sjellje të papërshtatshme, mësimdhënësit i kërcënojnë nxënësit se do t’i udhëzojnë tek psikologu, duke ndikuar që tek ata të krijohet bindja se takimi me psikologun është dënim, dhe se zyra e psikologut është një vend i cili nuk duhet vizituar sepse është një vend ku në qoftë se shkon do të etiketohesh për të keq.

Nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë duhet të dijnë se psikologu nuk është vendi ku duhet shkuar vetëm atëherë kur kemi vështirësi apo probleme. Psikologu është aty për ne kurdo që të ndjejmë nevojë të ndajmë diçka me të, qoftë edhe gëzimet tona; kur do që të kemi nevojë të kthjellojmë mendimet tona, kur do që të duam të rijmë në qetësi dhe të relaksohemi.

Ndryshimi i rolit të psikologut të shkollës

Në shkollë duhet kultivuar kulturën e interaksionit më të shpeshtë të psikologut me nxënësit me qëllim që të mënjanohen paragjykimet për psikologët por edhe për nxënësit që shkojnë tek psikologu. Që ky fenomen të ndryshojë mendoj se edhe vetë psikologët e shkollës duhet të angazhohen duke qenë më shpesh prezent në mesin e nxënësve në ambiente të ndryshme, e jo vetëm në zyrë; duke realizuar aktivitete interaktive dhe zbavitëse që kanë karakter zhvillimor për nxënësit, duke realizuar takime më të shpeshta individuale me nxënësit pa pritur që të vjen momenti që të paraqitet ndonjë problem, duke u afruar dhe duke njohur më shumë natyrën e nxënësve, duke u interesuar për ata, duke i vëzhguar ata, deri në atë moment që nxënësit me vetëdëshirë të shkojnë tek zyra e psikologut dhe të flasin për çështje të ndryshme.

Unë mendoj se në qoftë se në një shkollë psikologu e arrin këtë, atëherë ky është një sukses i madh edhe për të, edhe për nxënësit, edhe për shkollën, e për gjithë komunitetin, për arsye se këta nxënës kanë arritur një vetëdije e cila do t’i çojë ata të mendojnë më thellë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre mental por edhe për shëndetin mental të të tjerëve.

Në lidhje me këtë çështje mendoj se edhe drejtuesit e shtetit në insitutucionet përkatëse që kanë të bëjnë me arsimin edhe edukimin kanë një rol të veçantë. Në qoftë se ata theksojnë rëndësinë e shëndetit mental në shkolla, fillimisht duke punësuar psikolog në çdo shkollë, bile nëse bëhet fjalë për shkolla me më shumë nxënës atëherë mund të mendohet edhe më shumë se një psikolog në shkollë, duke përfshirë kujdesin dhe kultivimin e shëndetit mental në procesin edukativo-arsimor si një temë, kurs ose lëndë të veçantë, mendoj se do të ketë ndryshime të mëdha pozitive në qasjen ndaj shëndetit mental. Rezultati i një qasjeje të këtillë do të reflektohet në suksesin e nxënësve, marrëdhëniet e mira shoqërore, vetëbesim më të lartë, vetëpranim dhe vetëperceptim pozitiv, gjë që rrjedhimisht do të ndikojë që ata të jenë të rritur të dobishëm si për veten ashtu edhe për shoqërinë.

Shkruan: Hana Memedi