Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e qetë
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka njoftuar të dielën se situata në veri të vendit është e qetë.
Në një postim në Twitter, ka shkruar se EULEX-i po vazhdon të monitorojë situatën në këtë zonë, bashkë me NATO-n.
Tutje, Wigemark ka përmendur faktin se nga e hëna e 4 tetorit do të fillojë të zbatohet pika e dytë e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.
“EULEX-i po vazhdon të patrullojë dhe vëzhgojë situatën në Kosovën veriore së bashku me NATO-n dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës. Situata është e qëndrueshme dhe regjimi i ri i afisheve do të nis nga të dyja palët që nga nesër më 4 tetor”, ka shkruar Wigenmark.
Ndryshe, të shtunën e 2 tetorit janë larguar barrikadat në dy pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak.
Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare ishin bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Sipas atij vendimi, makinat me regjistrim të Serbisë duhej të hiqnin targat në hyrje të Kosovës, dhe të merrnin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.
Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori u larguan barrikadat dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës – ku u vendosën trupat e KFOR-it.
Pika dy e kësaj marrëveshjeje parasheh që nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme./SHQIP.com