Lajme

Mehaj: Siguria nacionale në Kosovë u provokua nga Serbia

Njësia Speciale e Kosovës në veri të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi të dielën se ditëve të fundit siguria në Kosovë është sfiduar nga Serbia, duke provokuar tensione politike.

Në një postim në Facebook, ka treguar hapat që po ndërmerren për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt.

I pari i mbrojtjes në Kosovë ka deklaruar se është detyrim ligjor mbrojtja e rendit kushtetues.

Ndaj ka renditur aktivitetet që po zhvillon Ministria e Mbrojtjes në këtë drejtim.

“Në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, realizojmë monitorimin, analizën, si dhe vlerësimin e pandërprerë, gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës, të të gjitha kërcënimeve dhe rreziqeve që kanosin sistemin tonë të sigurisë dhe mbrojtjes”, ka shkruar Mehaj.

“Mbi bazën e këtyre vlerësimeve, planifikojmë edhe kapacitetet, masat, si dhe veprimet tona operacionale me vendimmarrjen e duhur. Ministria e Mbrojtjes bashkë me institucionet tona shtetërore, dhe në bashkëveprim dhe koordinim me KFOR-in, kemi detyrim ligjor për ruajtjen e rendit kushtetues të shtetit, institucioneve si dhe jetës dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit”.

Ndryshe, të shtunën e 2 tetorit janë larguar barrikadat në dy pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak.

Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare ishin bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sipas atij vendimi, makinat me regjistrim të Serbisë duhej të hiqnin targat në hyrje të Kosovës, dhe të merrnin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori u larguan barrikadat dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës – ku u vendosën trupat e KFOR-it.

Pika dy e kësaj marrëveshjeje parasheh që nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme./SHQIP.com

Marrëveshja e Brukselit për targat