Shefi i diplomacisë italiane telefonon Kurtin dhe Vuqiçin, bën thirrje për paqe

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter.
“Dëgjova nga presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Kurti, të cilëve u sigurova përkushtimin tonë për stabilitetin në Ballkan. I bëjmë thirrje udhëheqjes së tyre për përmbajtje dhe kundër veprimeve të njëanshme. Italia është protagoniste për paqen” ka shkruar Tajani.
Kujtojmë se pak minuta më parë, Ka nisur protesta e organizuar nga ana e serbeve në veri të vendit.
Nën tingujt e këngëve nacionaliste, serbët me flamuj në duar kanë vendosur t’i përgjigjen thirrjeve të Listës Serbe.
Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.
Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.
Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme
/Shqip.com