Lajme Ballkan

SHBA: Shqiptarët të votojnë të dielën, të sigurohen zgjedhje të lira e të sigurta

Shqipëri, Tiranë. Foto: Rearview Mirror
Shqipëri, Tiranë. Foto: Rearview Mirror

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Përfaqësia e Uashingtonit në vendi tonë, u kërkon partive politike dhe institucioneve që të punojnë në mënyrë që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare.

Ambasada e SHBA thotë se Partitë politike kishin detyrim të paraqisnin kandidatë të pastër dhe të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani, vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve.

Ashtu si në të gjitha proceset zgjedhore të 3 dekadave të fundit, përfaqësuesit ndërkombëtare do të jenë duke monitoruar procesin.

Pak ditë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Juri Kim shprehu shqetësimin për raportimet për shitblerje vote dhe u kërkoi partive politike dhe agjencive ligjzbatuese të veprojnë kundër fenomeneve që cenojnë procesin zgjedhor.

“Të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore – të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta.

Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë.”

/Shqip.com