Lajme

SHBA: Nuk ka ndryshuar pozicioni për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”.

Çështja e njohjes është aktualizuar pas letrave të dërguara nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, në të cilat nuk është përmendur në mënyrë specifike njohja reciproke mes dy vendeve.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja reciproke.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com