Lajme

SHBA: Nuk do të dërgojmë në Kosovë “afganë të dyshimtë”

Ambasada Amerikane në Kosovë

Ambasada Amerikane në Kosovë ka demantuar raportimin e  NBC News, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të strehojnë në Kosovë “afganët e dyshimtë” të lidhur me talebanët dhe grupet terroriste.

Në njoftim  sqarohet se procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks, dhe disa aplikantë sipas tyre janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve.

“Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë”.

Lexo edhe:
Harris: Me Vjosa Osmanin u pajtuam për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë

“Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur falënderim për Kosovën që pranuan strehimin e përkohshëm të afganëve.

Lexo edhe:
Lushtaku do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese për kandidaturën e tij

“Roli i Kosovës në këtë përpjekje është një mirënjohje për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për rolin në rritje të Kosovës në skenën globale”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë”.

Edhe zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për bashkëpunimin në çështjen e strehimit të afganëve.

Kosova deri më tash ka strehuar mbi 400 afganë. /Shqip.com