Lajme

SHBA-ja me pako të re armësh për Ukrainën

Ushtarët ukrainas shpaketojnë raketat antitank Javelin, të dorëzuara si pjesë e ndihmës së SHBA-së për sigurinë në Ukrainë, në aeroportin Boryspil, Kiev, Ukrainë, më 11 shkurt. (Efrem Lukatsky/AP)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet që të ndihmojnë Ukrainën me një pako të re armësh.

Ukraina pritet të ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me municion në vlerë prej 820 milionë dollarësh, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pakoja e katërmbëdhjetë e armëve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për lëshuesit e raketave precize “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë municione artilerie të kalibrit 155 mm, si dhe katër radarë shtesë kundër artilerisë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet për t’i përmbushur kërkesat e saj në fushën e betejës”, tha sekretari për shtypin i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së, Todd Breasseale.

Me pakon e re të armëve, e cila mbështetet në furnizimet ushtarake amerikane, vlera e totalit të alokimeve për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Përndryshe, lufta në Ukrainë ka tejkaluar katër mujorin e saj, që prej se nisi më 24 shkurt të këtij viti./Shqip.com