Lajme Botë

SHBA dhe Irani bien dakord të ndalojnë sulmet, takim në Doha të martën

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord të ulin përkohësisht tensionet pas shkëmbimit të zjarrit pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë ditëve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i administratës së presidentit Donald Trump, i cili tha se të dyja palët do të tërhiqen për momentin, duke lejuar lëvizjen e lirë të anijeve në këtë rrugë strategjike detare.

“Të dyja palët do të tërhiqen për momentin dhe anijet mund të lëvizin lirshëm”, deklaroi zyrtari amerikan.

Megjithatë, ende nuk është bërë i qartë qëndrimi zyrtar i Iranit lidhur me këtë zhvillim dhe nëse Teherani e konsideron të arritur një mirëkuptim të përkohshëm.

Ndërkohë, një zyrtar tjetër amerikan konfirmoi se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit do të zhvillojnë një takim në Doha të Katarit të martën, ku pritet të diskutojnë hapat e mëtejshëm për uljen e tensioneve dhe shmangien e një përshkallëzimi të ri.

Përplasjet e fundjavës vunë në provë marrëveshjen e brishtë mes dy vendeve. Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të tjera ushtarake nëse Irani vazhdon sulmet, ndërsa autoritetet iraniane deklaruan se çdo shkelje e armëpushimit do të “rezultojë në ndalimin e plotë të të gjitha proceseve diplomatike”.

Takimi i së martës në Doha shihet si një përpjekje për të rikthyer dialogun dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në rajonin e Gjirit.

/Shqip.com