Lajme

SHBA dhe Gazment Bardhi me 7 të tijët që ndryshuan fatin e vulës së PD

Gjykata e Apelit me vendimin e marrë ditën e sotme i kaloi zyrtarisht Sali Berishës vulën e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar. Deri sot gjykatat njihnin kryetar të PD, Lulzim Bashën, si pas dorëheqjes por po ashtu edhe pas rikthimit vitin e kaluar. Rikthimi i Bashës në mënyrë të beftë bëri që 8 deputetë nga grupi parlamentar i PD, me në krye Gazment Bardhin ta braktisnin atë dhe pas disa negociatave e një marrëveshje më pas me Sali Berishën, u bënë pjesë e grupimit të tij, Rithemelimit. Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Bledjon Nallbati, Saimir Korreshi, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji qershorin e kaluar ikën nga grupi që deri atëherë përbënte Partinë Demokratike zyrtare.

Kapërcimi i Gazment Bardhit në kampin tjetër të demokratëve u duk si një mesazh kuptimplotë se drejt kujt po shkonin ekuilibrat në PD, mes asaj që konsiderohej PD-ja zyrtare dhe Rithemelimit. Grupi i të moderuarve të Gazment Bardhit ose “rruga e tretë” e PD, shihej nga analistët politikë si faktori vendimtar që mund të çonte drejt zgjidhjes krizën në PD.

Përplasjet brenda partisë më të madhe kishin kaluar disa episode të pakëndshme. 8 janari 2022 do të shënonte ngjarjen më të pazakontë, protestën e demokratëve kundër demokratëve me akte dhune te selia blu. Më vonë do të vinin zgjedhjet e pjesshme lokale të 7 marsit dhe një vit e dy muaj më pas ato të 14 majit 2023 të cilat faktorizuan Sali Berishën dhe grupin e tij ndërmjet dy kampeve të demokratëva, por në të dyja rastet Rithemelimi hyri në zgjedhje nga “dritarja”, duke mos patur logon dhe vulën zyrtare të PD. Po të mos ishte firma e Monika Kryemadhit në 7 mars dhe e Ilir Metës në 14 maj, njëri pas tjetrit, vështirë se sot Sali Berisha do të ekzistonte politikisht. Por megjithatë edhe ithari më i pandreqshëm i Rithemelimit e ka kuptuar tashmë se vetëm fryma dhe shumica nuk mjaftonin për të përvetësuar vulën zyrtare të PD. Politika luhet në skena të mëdha, ka orientime, lobingje, interesa strategjike që prevalojnë mbi zhvillimet lokale të një vendi të vogël si Shqipëria.

Por si erdhi kjo “fitore” e vulës së PD që sot e ka zyrtarisht Sali Berisha në dorën e tij?

Entuziazmi në radhët e Rithemelimit është i kuptueshëm. Kapërcimi në arrogancë dhe sfidë tregon se në mentalitet asgjë s’ka ndryshuar dhe lufta brenda llojit (brenda demokratëve) nuk është shuar dhe lufta e muskujve kush është shumica e kush pakica do të vazhdojë. Në fakt vula erdhi prej “rrugës së tretë”. Të moderuarit kanë qenë pikat e kontaktit të ndërkombëtarëve, veçanërisht në bisedimet e ngushta me SHBA-të dhe përfaqësuesit e tyre diplomatikë në vendin tonë. Vlen të kujtojmë vizitat e njëpasnjëshme në SHBA të Gazment Bardhit dhe grupit të tij. Vizitat dhe mesazhet nga SHBA ishin të tilla që opozita duhej të unifikohej për të diktuar dhe kontrolluar vendimmarrjen e qeverisë. Opozita është garancia se korrupsioni do të denoncohet dhe keqqeverisja do të nxirret në pah. Gazment Bardhi vetëm tre muaj më parë ishte pjesë e një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë në SHBA ku u prit nga Kongresmenë dhe Senatorë amerikanë.

Dhe, pas kthimit nga SHBA, Gazment Bardhi – të gjithë e mbajmë mend – teksa seanca e Kuvendit kaotik atëherë përfundoi shpejt, marshoi në këmbë bashkë me simpatizantët e Rithemelimit, drejt shtëpisë së Sali Berishës ku ai mban fjalimet nga ballkoni prej 6 muajsh.

Vizitat e grupit të deputetëve demokratë të moderuar në SHBA janë pasuar edhe nga Dhurata Çupi, Ervin Salianji, Bledjon Nallbati dhe Agron Gjekmarkaj. Pra, flasim për një grup të zgjedhur përfaqësuesish të PD të cilët janë garancia e ndërkombëtarëve se opozita nuk do të çohet në drejtime të paditura.

Vula e sotme është pikërisht produkt i këtij kursi të ndjekur nga ndërkombëtarët me deputetët e PD të cilët nuk përfaqësojnë vijën e ashpër të atij reaksioni bojkoti e destruktiviteti që deri më tash është provuar si dëmtues për opozitën duke i sjellë asaj kosto që deri tani kanë rezultuar të parekuperueshme përballë një pushteti që nuk lë gjë të kundraligjshme pa përdorur në funksion të zgjatjes së jetëgjatësisë qeverisë. Sali Berisha është kryetar i PD, tanimë edhe zyrtarisht me vulë e logo, por problemet nuk ndalen me kaq. Nga 21 qershori, Berisha rrezikon të humbë edhe mandatin e deputetit. Me dy non grata mbi supe, në arrest shtëpie dhe pa mandat deputeti, kjo detyrimisht do ta çonte opozitën drejt një sfide tjetër të panjohur.  

/Shqip.com