Lajme

Serbia e falënderon Rusinë për ndihmën

Kryediplomati serb dhe ai rus.

Ministri i Jashtëm në Serbi, Nikola Selakoviq, ka falënderur homologun e tij rus, Sergey Lavrov për mbështetjen që Kremlini po ia jep Beogradit.

Kryediplomati serb e takoi Lavrovin  në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ministri i Jashtëm Selakoviq i ka thënë ministrit të Jashtëm të Rusisë Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Serbia është mirënjohëse ndaj Rusisë për mbështetjen në forumet shumëpalëshe, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe e ka informuar atë për zhvillimet e fundit në Kosovë; prodhimi i vaksinës Sputnik në Serbi gjithashtu u diskutua”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë në Twitter.

Që nga 20 shtatori Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Për këtë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë.

“Në thelb është një përpjekje e shqiptarëve për të pushtuar zonat e populluara me serbë dhe për të vendosur kontrollin e tyre atje. Ne i konsiderojmë këta hapa si një provokim që synon spastrimin etnik dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Gjatë ditëve të fundit disa helikopterë kanë patrulluar afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Po ashtu, të shtunën Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është sulmuar me granata.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media ka thënë se “po të mos ishin Njësitet Seciale do të kishte incidente edhe në pikat kufitare”.

Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ato ndodhen në një vizitë zyrtare për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikërisht nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, Albin Kurti po kërkon që të reagojnë ndaj ‘agresionit serb”. /Shqip.com