Selmanaj reagon pasi një metër dru po shitet deri në 100 euro: Turpi i Qeverisë nuk paska fund

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka reaguar pas lajmeve se një metër dru është duke u shitur deri në 100 euro.
Ai ka thënë se Qeveria në vend që të kujdesët për qytetarët është duke u tallur.
“Deri 100 euro një metër dru!!!A ka qeveri ky vend?!A ka në këtë vend institucione që kujdesen për qytetarët e vet?!E në vend të kësaj këta kanë zgjedhë të tallen me ne, jo hiqni prej rryme lojërat e fëmijëve, jo izoloni shtëpitë, jo lahuni nga dy persona…Turpi i tyre nuk paska fund”.
Ndryshe, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë – KEDS ka ripërsëritur alarmin se kosovarët do të përballen me mungesë të energjisë elektrike gjatë dimrit që po vjen.
Madje, si zgjidhje për të ulur shpenzimin rrymës, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, u rekomandoi qytetarëve që të lahen dy persona njëkohësisht.
Por kjo deklaratë e Buzhalës, është cilësuar e papërshtatshme nga qytetarët.
Shumë prej tyre kanë thënë për Shqip.com se kjo zgjidhje, i përket shekujve të mëhershëm dhe jo shekullit në të cilin po jetojmë.
“Kjo është diçka shumë pa lidhje dhe kjo nuk ka sens hiç. Nuk e di këta njerëz çfarë memorie kanë, çfarë tru kanë dhe çfarë përgatitje shkollore kanë. Ne nuk po kthehemi në shekullin XII, por në shekullin XXI e njerëzit e paaftë nuk munden me bë zgjidhje e kështu ja imponojnë popullit zgjedhjet që ata mendojnë që janë të zgjidhshme por nuk është në rregull”.
Ndërsa një qytetar kërkoi të mendohen zgjidhje tjera.
“Nuk është vendim i përshtatshëm, nuk është një këshillë që duhet me u dhënë për persona. Nuk mendoj që është zgjedhje e mirë që dy persona me u shty me një pozitë të pakëndshme për dytë për me pas energji. Duhet me u gjetë një zgjidhje tjetër”./SHQIP.com