Selmanaj: Që një vit Kurti po merret vetëm me dialog

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i cili ka thënë se dialogu nuk është top prioritetet e qeverisë së tij.
Përmes një adresimi për EO, Selmanaj ka thënë se Kurti ka një vit që po merret vetëm me dialog.
“Kjo tregon jo seriozitetin e këtij kryeministri, ky kam përshtypjen që nuk e ka ide për rëndësinë e pozitës qe e ka. Ka një vit që ky vetëm me dialog është duke u marr, ndërkohë neve na ka thënë së është temë e shtatë apo e tetë”, tha Selmanaj.
Selmanaj e quan Kurtin të papërgjegjshëm dhe naiv politik.
“Kjo shpërfaq gjithçka në fakt, kjo e shpërfaq diletantizmin e tij politik, qëndrimet e tij pozicioni i tij dhe pozita Kushtetuese që e ka nuk janë frekuenca të njëjta, që i bie që ky ka marr një pozicion ose një pozitë që nuk e meriton, nuk e meriton absolutisht sepse të thuash kështu dhe të sillesh kështu me media, me njerëzit, me Kuvendin e Kosovës, ky tregon se ka sjellje të një personi sa të pa përgjegjshëm po aq edhe naiv politik”.
Kujtojmë se sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti pritet që të raportojë për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
/Shqip.com