Lajme

Selmanaj: Kushdo që pretendon se ka “arkiva të UÇK-së” po vepron kundër Kosovës

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili të enjten njoftoi se me palën serbe në Bruksel janë pajtuar për hapjen e arkivave shtetërore të Kosovës, “përfshirë ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Sipas Selmanajt, kushdo që pretendon që ka “arkiva të UÇK-së” dhe zotohet t’i hap ato, “po vepron kundër Kosovës dhe ka rënë me këmbë e duar në grackën e agjendës shoveniste të Serbisë”.

Lexo edhe:
“Nuk ka arkiva të UÇK-së Albin, as nuk ka pasur ndonjëherë”

“Përpjekja e tillë është e kahershme por asnjëherë nga pala shqiptare nuk ka pas njerëz që kanë pranuar të hyn në këtë agjendë tejet dashakeqe për vendin tonë”.

“Duhet ta dijnë të gjithë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vlera më sublime e popullit shqiptarë dhe si e tillë do të ruhet dhe mbrohet nga kushdo që provon ta dëmtojë atë, qoftë ai edhe kryeministri apo zëvendëskryeministri i Kosovës”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Pas takimit dyditor në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij serb, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave, duke përfshirë edhe ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta.

Ndërkohë, kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, tha se kjo marrëveshje është në interes të Kosovës./SHQIP.com